Bruksel, takim Bytyqi – Kristofidu

Bashkëpunimi që kemi me Maqedoninë e Veriut në fushën e arsimit përmes ERASMUS na bën ta trajtojmë vendin tuaj si anëtare të Bashkimit Evropian, tha drejtoresha e përgjithshme për arsim, rini, sport dhe kulturë në Komisionin Evropian, Temis Kristofidu në takimin në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi. Në takim, zëvendëskryeministri Bytyqi falënderoi BE-në për solidaritetin e saj gjatë krizës së Covid-it dhe krizës energjetike, njerëzit panë në vepër se çfarë do të thotë të jesh në një familje të madhe siç është BE-ja. Në këtë takim, Bytyqi theksoi nevojën për mbindërtimin e kapaciteteve arsimore ku ka hapësirë për avancim, duke shtuar se Maqedonia e Veriut ka nevojë për rikualifikim të qytetarëve të aftë për punë të cilët janë të evidentuar si të papunë, në mënyrë që të jenë konkurrues në tregun e punës, në çka Qeveria tashmë është duke punuar përmes programeve të ndryshme. Drejtoresha e përgjithshme Kristofidu theksoi se kualifikimi i mëtutjeshëm është pjesë e programit ERASMUS me të cilin Maqedonia e Veriut mund të fitojë shumë dhe nëse viti 2022 ishte viti i rinisë, viti 2023 shënohet si vit i kualifikimeve dhe shtoi se ERASMUS është një program i gjerë që mbulon edhe arsimin. Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe Kristofidu shprehën gjithashtu rëndësinë e përfshirjes digjitale, e cila kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së për të arritur barazinë në arsim. Në takim u diskutua edhe për trashëgiminë kulturore, ku drejtoresha e përgjithshme për arsim, rini, sport dhe kulturë në Komisionin Evropian, Temis Kristofidu, informoi se në qershor një delegacion i Drejtorisë në Komisionin Evropian do të jetë në Maqedoninë e Veriut, dhe kjo do të jetë një mundësi e mirë për të parë në veprim zhvillimet dhe aktualitetet në sferën e trashëgimisë kulturore, e cila është një nga karakteristikat e Maqedonisë së Veriut. Përndryshe, zëvendëskryeministri Bytyqi këto ditë po qëndron në Bruksel, ku po merr pjesë në takimin dypalësh nga Klasteri 2, “Tregu i Brendshëm”, Kapitulli 9 “Shërbimet financiare”, dhe Kapitulli 28, “Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndeti publik”, gjatë së cilës ai zhvilloi edhe takime me përfaqësues të ndryshëm nga Komisioni Evropian.

Marketing