Buçi: Për një muaj Maqedonia ka shënuar rritje të eksportit deri 20 %

Maqedonia shënon rritje të eksportit të mallrave drejtë Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore prej 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Marketing

Për Tv Klan këtë e ka vërtetuar edhe zv. Drejtori i Doganave të Maqedonisë Irfan Buçi i cili thekson se për një muaj është shënuar rritje e eksportit prej 15 deri 20%.

“Periudha kohore për të dhënë informacion të saktë se sa ka ndikuar eksporti nga Maqedonia në Kosovë është shumë e shkurtër gati se një muaj, por është evidente se kohët e fundit kemi rritje të mallrave që eksportohen në Kosovë. Rritje sipas informacioneve që kam në kufirin e Bllacës i bie diku 15 deri 20%”, tha Irfan Buçi, Zv/Drejtor i Doganava të Maqedonisë.

Buçi shton se më së shumti eksportohen produkte ushqimore, por siç tha, kohën e fundit ka rritje të sasisë së grurit për të cilën, do të verifikohet origjina për të parë nëse ekzistojnë keqpërdorime.

“Evidente janë më shumë tani produktet ushqimore, dmth lëngjet nga ndërmarrja Viva dhe produktet e tjera, por më së shumti janë ato ushqimore, si dhe kemi rritje të sasisë së grurit. Tani kohën e fundit do të shikojmë se si mundet të eksportojnë nga Maqedonia deri në Kosovë, sidomos grurin. Neve do të monitorojmë, do të verifikojmë origjinën e grurit, sidomos nëse ndonjë ndërmarrje do të eksportoj në Kosovë, do ta verifikojmë origjinën se nga e ka marrë grurin dhe do të konstatojmë mos ka ndonjë keqkuptim të këtij lloji”, deklaroi Irfan Buçi – Zv/Drejtor i Doganava të Maqedonisë.

Nga Doganat e Maqedonisë bëjnë të ditur se ka lëvizje të zakonshme të transportuesve nga Serbia, por nuk përjashtotohet mundësia për rritjen e fluksit. Serbia është njëra nga eksportueset e para të mallrave të saj në Kosovë. Nga eksporti i mallrave, Serbia përfiton 400 milionë euro në vit, ndërsa nga Kosova eksportohen vetëm 4 milionë euro në vit. Autoritetet serbe kanë kërkuar ndihmë nga BE për zhbllokimin e kësaj mase dhe respektimin e marrëveshjes CEFTA.