Ndryshimi i klimës politike nuk mund të ndjehet menjëherë pas inkuadrimit të Maqedonisë së veriut në NATO, por megjithatë kjo sjellë stabilizim të madh në vend, i cili tashmë nisi rrugën e vet euroatlantike. Sfidë më e madhe për vendin tani është fillimi i negociatave për anëtarësim në BE, deklaroi ish-kryeministri dhe ministër i Mbrojtjes, Vllado Buçkovski në një intervistë për “Bllumbergtv.bg”.
Buçkovski është pjesëmarrës i nismës “Dialogje për të ardhmen e Bullgarisë dhe Maqedonisë”.
“Shpresat janë se negociatat për inkuadrim në BE do të fillojnë në qershor. Kjo do të futë stabilitet të dukshëm në Maqedoninë e Veriut pas gjashtë muajve të vështirë rreth nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, me të cilën u zgjidh kontesti për emrin me Greqinë”, thotë Buçkovski në intervistën me Nikollaj Kërstev në emisionin “Bota është biznes” në “Bllumbergtv.bg.
Sipas Buçkovskit, anëtarësimi në Union do të bëjë vendin dhe rajonin më të dëshiruar për biznes.
“Investuesit nuk vijnë në Ballkanin Perëndimor vetëm për shkak të fuqisë së lirë punëtore. Rajoni ka mjaft resurse, të cilat mund t’i ofroj. Duhet t’ua tregojmë evropianëve potencialin tonë, njerëzit e rinj, mundësitë turistike dhe të tjera”, thotë Buçkovski.
Nënshkrimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë mes Shkupit dhe Sofjes, thekson Buçkovski, është fillim i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë ishte testi i parë serioz për kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev. Marrëveshjet me Bullgarinë dhe me Greqinë e rritën respektin e vendit tek komuniteti ndërkombëtar dhe e bënë faktor stabiliteti në rajon”, thekson Buçkovski.