Bugajski: Mundësi historike që NATO ta mposhtë Rusinë

Eksperti për Ballkanin Perëndimor, Janush Bugajski, po e konsideron këtë kohë si mundësi historike që NATO ta mposhtë një fuqi perandorake siç është Rusia e që po kërcënon sigurinë europiane. Madje, ai po thotë se këtë mund ta bëjë edhe pa luftuar drejtpërdrejt me të. Në këtë drejtim, ai sugjeron një diplomaci në disa fusha të udhëhequr nga amerikanet, e cila duhet të shenjëstrojë burimet ruse. Dhe kur atëherë vëmendja të largohet nga Ukraina, vetë ukrainasit do ta mposhtin ushtrinë ruse të dobësuar. Bugajski thotë se NATO duhet të kthejë sytë edhe drejt Ballkanit Perëndimor – ku Rusia mund të futë hundët përmes një qeverie pro ruse në Beograd – dhe të përfshijë në familjen e saj Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën.

Marketing

“Një fitore strategjike që i jep fund ekspansionit dhe agresionit rus mund të arrihet pa një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak. Në vend se të furnizojë Ukrainën me të gjitha armët për të rimarrë territoret e okupuara në Donbas dhe Krimea, Aleanca ka opsione të shumta për të dobësuar aftësitë e tepërta ushtarake dhe ekonomike shumë-rajonale të Rusisë”, thotë Bugajski në një opinion për mediumin “Istraga”.

Ai thotë se forcat e armatosura të Rusisë nuk posedojnë fuqi punëtore vendase apo armatim funksional për të mbrojtur të gjitha pjesët perëndimore dhe jugore të vendit, prandaj nga Arktiku në Kaspik, një fushatë e qëndrueshme diplomatike, ekonomike dhe e sigurisë e udhëhequr nga Washingtoni “do t’i dëmtojë rëndë burimet e Rusisë, do të largojë pjesën më të madhe të vëmendjes së saj nga Ukraina dhe do t’u mundësojë forcave ukrainase të shtypin dhe mposhtin ushtrinë e dobësuar të Moskës”.

Bugajski ka thënë se Finlanda dhe Suedia duhet që të përshpejtojnë rrugën e tyre drejt hyrjes në NATO, duke thënë se kufiri prej 1340 kilometrash i Finlandës me Rusinë, kapaciteti ushtarak i saj dhe përvoja për të rezistuar dhe mundur një agresion rus, do të jetë pozitive për NATO-n.

“Sa më shumë që Moska e kërcënon Finlandën për të hyjë në NATO, aq më e vendosur bëhet qeveria për t’iu bashkuar strukturës së sigurisë së përbashkët”.

“Përgjatë frontit ballkanik, Bosnje-Hercegovina e cila është shënjestruar nga Moska për të destabilizuar rajonin përmes ndarjes, duhet të vendoset në binarë të shpejtë për anëtarësimin në NATO. Dhe forcat e NATO-s mund të vendosen në pikat kyçe ku ka mundësi të ndezjes së dhunës në vend dhe që të japin sinjalin për integritet të përhershëm të këtij shteti. Njëkohësisht, Kosova duhet të ndihmohet që të kualifikohet për anëtarësim në NATO. Kjo do të zvogëlonte përpjekjet e qeverisë pro-Kremlinit në Serbi për të gjeneruar konflikte në mënyrë që të largonte vëmendjen nga lufta irredentiste e Moskës në Ukrainë”.