Bullgari, Petkov deponon dorëheqjen në Kuvend

Kryeministri bullgar Kiril Petkov deponoi dorëheqjen në Kuvend pas gjysmë viti qeverisje, ndërsa javën e kaluar u rrëzua me mocionin e votëbesimit të parisë GERB të Bojko Borisov, “Lëvizjes për të drejta dhe liri”, “Rilindje” dhe “Ka një popull të tillë”.

Marketing
Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev ka nisur konsultimet me përfaqësuesit e grupeve parlamentare për dorëzimin e mandatit për formimin e qeverisë së re në kuadër të përbërjes aktuale të kësaj legjislature. Partija e Petkovit nuk shkoi në presidencë me arsyetimin se kanë qenë të angazhuar në komisionin parlamentar për buxhet. Ata do të kërkojnë konsultim tjetër me presidentin pas kthimit të tij nga samiti i NATO-s në Madrid.
Kushtetuta bullgare parashikon tre përpjekje për formimin e qeverisë, mandati i parë do ti dorëzohet partisë më të madhe në Kuvend asaj të Kirill Petkovit e cila brenda një jave duhet të thotë nëse ka shumicën, në të kundërtën shansi për formimin e qeverisë i kalon GERB- SDS dhe më pas ndonjë partie të tretë me përzgjedhjen e Radev. Nëse edhe atëherë nuk formohet shumica, presidenti emëron qeveri kalimtare, shpërbën kuvendin dhe shpall zgjedhje të parakohshme.
“Nëse supozojmë se katër formacionet politike të cilat mund të formojnë qeveri janë ‘Vazhdojmë Ndryshimet’, BSP, DBI dhe ITN, shtrohet pyetja se a do të dakordohemi. Nuk është çështja se a do ta bëjmë me mandatin e parë apo të tretin. Shpresoj se do të mbizotërojë sjellja me përgjegjësi kombëtare.”, tha Aleksandar Rakshiev nga  partia “Vazhdojmë me Ndryshimet”.
Nga anketa e realizuar me telefon në Bullgari me 800 qytetarë mësohet se ‘Vazhdojmë me Ndryshimet’ ka përparësi para GERB. 48.1% mbështesin ndërkaq 50.5% janë kundër rrëzimit të qeverisë së Petkovit. 58% e të anketuarve janë optimist se do të formohet qeveri me këtë përbërje të deputetëve, kundrejt 40.6% të cilët duan zgjedhje. Afër 60% e të anketuarve janë shprehur se me propozimin francez nuk mbrohen interesat bullgare.