Bullgaria do t’i dhurojë Maqedonisë vaksinat e para, Zaev faleminderon Borisovin

Bullgaria si vend anëtar i Bashkimit Evropian ka vendosur që një pjesë të vaksinave Anti-COVID-19 nga kontigjenti i parë t’i dhurohen Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Ky vendim është sjellë nga Qeveria bullgare, edhe pse midis dy vendeve ka tensione për shkak të bllokadës bullgare ndaj Maqedonisë në planin e integrimit në BE dhe hapjen e negociatave.

Megjithatë ky gjest është përshëndetur nga ana e kryeministrit Zoran Zaev. Ai përmes një postimi në facebook ka faleminderuar kolegun e tij bullgar, Bojko Borisov.

“Pas vendimit për të dhuruar vaksinat kam shprehur faleminderim personalisht ndaj kryeministrit Borisov, Qeverisë bullgare dhe popullit bullgar për gjestin solidar dhe human si dhe për një akt të veçantë të miqësisë ndaj popullit maqedonas dhe të gjithë popujve në Maqedoni”, ka shkruar Zaev, duke shtuar e këto vaksina do të vijnë në kohën e vështirë me të cilën po ballafaqohet vendi me pandeminë.