Bullgaria ka njoftuar Komisionin Evropian se nuk pranon kornizën negociuese me Maqedoninë e Veriut, që nënkuptonte nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, përmes një letre dërguar KE-së, ka thënë se korniza negociuese nuk i siguron garancitë e nevojshme për përmbushjen e kushteve të vendosura nga Bullgaria.
“Deklarata nuk paraqet një instrument ligjërisht të detyrueshëm dhe nuk siguron garancitë ligjore të kërkuara nga Bullgaria. Korniza negociuese me kërkesat tona mund të miratohet në një fazë të mëvonshme, por pa të, negociatat e anëtarësimit nuk mund të fillojnë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.
Korniza e bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së ishte paraparë të miratohej në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, më 10 nëntor, por ky takim është shtyrë për 17 nëntor.
Të martën, ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva, ka deklaruar se Bullgaria nuk është në gjendje ta miratojë kornizën për bisedimet e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Zaharieva ka thënë se Bullgaria “nuk konteston gjuhën dhe identitetin modern maqedonas”.
Sofja konsideron se kombi maqedonas dhe gjuha maqedonase ekzistojnë që nga viti 1945 dhe i fton autoritetet e Shkupit të pranojnë se kanë rrënjë bullgare.
Veç kësaj, shteti bullgar kërkon që Maqedonia e Veriut të deklarojë se emri i saj i ri nuk përfaqëson pretendime territoriale në rajonin gjeografik të Maqedonisë së Veriut, si dhe të mos kërkojë njohjen e pakicës maqedonase në Bullgari.