Sparkasse Banka ofron bursa për studentët e UT-së

Në Universitetin e Tetovës, Sparkasse Banka e prezantoi programin e bursave “Best of South East”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të bankës, profesorë të Fakultetit Ekonomik dhe studentë të Universitetit tonë.
Me këtë rast, përfaqësuesja e Sparkasse Bank, Aneta Janevska Evgenievska, deklaroi se bursat mund të fitohen në bazë të kritereve të vendosura nga institucioni përkatës. “Kriteri parësor është njohja e gjuhës gjermane, duke vazhduar më tej me njohjen e shkëlqyer të gjuhës angleze, të jenë shtetas të Maqedonisë së Veriut, nota të shkëlqyera gjatë studimeve të deritanishme, mosha maksimale deri 27 vjet, përkushtimi, shkathtësi të forta komunikimi, fleksibilitet, shkathtësi analitike dhe të menduarit praktik ekonomik. Gjithashtu, bursistëve që tashmë janë të kyçur në ndonjë program tjetër mobiliteti nuk u lejohet aplikimi. Pikësynim janë studentët e diplomuar, ose studentët aktual në biznes, ekonomi ose drejtësi. Studentët që do të arrijnë ta fitojnë bursën do të kenë edhe dobi të tjera, si: përforcimin e potencialit profesional dhe personal, përvojë në sferën ndërkombëtare, përparim në njohjen e gjuhës gjermane dhe vendosjen e kontakteve” – u shpreh Aneta Janevska Evgenievska
Shuma e mjeteve financiare për një student, brenda ciklit njëvjeçar, kap shifrën e 10 000 eurove. Përveç kësaj, studentëve u shlyhen harxhimet në Universitetin e Gracit dhe kanë të drejtë të ndjekin kurse intensive në gjuhën gjermane në kuadër të Qendrës së gjuhëve.
Afati i aplikimit për bursën e Sparkasse Bankës, e quajtur “Best of South East”, do të jetë i hapur deri më datën 5 dhjetor 2019. Më pas përzgjedhja do të bëhet nga udhëheqës të Universitetit të Gracit. Seleksionimi final do të bëhet në muajin mars të vitit 2020.

Marketing
Marketing