Deputeti i Partisë Socialiste në Shqipëri, Ditmir Bushati ka deklaruar se e ardhmja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në Bashkimin Evropian dhe këto dy vende kanë se çfarë të diskutojnë me njëra-tjetrën.
Ish kreu i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati zhvilloi një bisedë me studentë dhe pedagogë të Universitetit “Epoka” mbi sfidat e sigurisë në rajon.
Ai bëri një historik mbi natyrat e mosmarrëveshjeve në rajon, si dhe u dal te dialogu Kosovë-Serbi.
I pyetur nga studentët mbi debatin për ndryshimin e kufijve, Bushati tha se “unë bëj pjesë tek ajo kategori njerëzish që nuk e shoh as zhvillimin e Shqipërisë dhe as zhvillimin e Kosovës dhe as zhvillimin e shqiptarëve në përgjithësi në rajon në kurriz të një populli apo kombi tjetër”.
“Por nga ana tjetër gjëja që më shqetëson më pak nga çdo gjë tjetër është çka mendon Serbia apo rehabilitimi i Serbisë në Ballkan, apo rehabilitimi i Serbisë në arenën ndërkombëtare. Mendoj se ne si Shqipëri na takon të mbajmë një qëndrim parimor përsa i përket kësaj çështje”, tha ai.
Për politikën shqiptare, tha Bushati, “pavarësisht kush ka qeverisur, ka qenë një konstante respektimi i integritetit territorial të Maqedonisë së dikurshme apo Maqedonisë së Veriut sot”.
“Kështu që nuk besoj se mund të ketë politikanë në Shqipëri të mos respektojë të njëjtën gjë dhe për sa i përket integritetit territorial të Kosovës. Nuk mendoj se do të ketë njeri kurajo në Shqipëri që të apikojë një standard të ndryshëm nga ai që politika shqiptare ka aplikuar për 30 vjet me fqinjin tjetër, që është sot Maqedonia e Veriut”, tha ai.