Ish- ministri i jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati e ka cilësuar si arritje të merituar të shqiptarëve marrëveshjen për qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut.
Bushati thotë se shqiptarët në shtetin fqinj kanë qenë në ballë të proceseve kombëtare, dhe kontributi i tyre për një shoqëri europiane është i pazëvendsueshëm.
Më tej Bushati thekson se shqiptarët tashmë dëshmojnë qartazi vullnetin për të çuar para agjendën demokratizuese dhe europiane.
Me marrëveshjen e re për qeverinë në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët do të kenë një kryeministër për 100 ditët e fundit të mandatit 4- vjeçar.
STATUSI NGA DITMIR BUSHATI
Pas rezultatit në zgjedhjet parlamentare të 15 Korrikut dhe marrëveshjes së nënshkruar sot për qeverinë e re, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, dëshmojnë qartë vullnetin për të çuar përpara agjendën demokratizuese dhe europianizuese.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë qenë në ballë të proceseve tona kombëtare. Kontributi i tyre për ndërtimin e një shoqërie europiane është i pazëvendësueshëm. Një përfaqësim sa më dinjitoz në parlament dhe marrja e përgjegjësive në të gjitha nivelet e qeverisjes, është garanci për përmbushjen e të gjitha pikave të Deklaratës së Përbashkët të Partive Politike Shqiptare, të 7 Janarit 2017. Pika, që do të siguronin barazinë e plotë ndërmjet dy komuniteteve shtetformuese, duke konsoliduar në të njëjtën kohë arritjet e deritanishme që kanë lidhje me përdorimin e simboleve kombëtare dhe përfaqësimin e drejtimin e institucioneve kryesore të shtetit.
Suksese për këtë arritje të merituar!