Bushati: Shqiptarët gati t’i drejtojnë institucionet e Maqedonisë së Veriut

Ditmir Bushati

Marketing

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut janë të parat që zhvillohen pas zhbllokimit të rrugës euroatlantike të vendit, ku shqiptarët, si një nga dy komunitetet shtetformuese, kanë një kontribut thelbësor.

Rëndësia e këtyre zgjedhjeve është e padiskutueshme. Duke marrë parasysh vështirësitë që imponon situata me pandeminë, mobilizimi për një pjesëmarrje masive në zgjedhje dhe besimi ndaj përfaqësuesve më të mirë të partive politike shqiptare është domosdoshmëri.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë qenë në pararojë të proceseve tona kombëtare. Potenciali i tyre në ndërtimin e një shoqërie europiane është i madh. Potenciali çlirohet përmes përfaqësimit. Një përfaqësim sa më i mirë është garanci për përmbushjen e të gjitha pikave të Deklaratës së Përbashkët të Partive Politike Shqiptare, të 7 Janarit 2017. Pika, që do të siguronin barazinë e plotë ndërmjet dy komuniteteve shtetformuese, duke konsoliduar në të njëjtën kohë arritjet e deritanishme që kanë lidhje me përdorimin e simboleve kombëtare dhe përfaqësimin e drejtimin e institucioneve kryesore të shtetit.

Një fqinj stabël, demokratik, në harmoni ndëretnike, anëtar i NATO-s dhe bashkëudhëtar në rrugën drejt anëtarësimit në BE, është në interesin e Shqipërisë dhe promovimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.