Zëvendësministri i Brendshëm, Nazim Bushi vlerëson se përfshirja e një familjari të tij në aksionin anti-drogë të policisë në Krushevë është përgjegjësi individuale e të dyshuarit. Bushi shton se autoritetin e tij nuk e ka përdorur dhe nuk do ta përdorë për të ndikuar në hetim.
“Përgjegjësia është individuale dhe secili prej nesh ka përgjegjësi individuale dhe duhet përgjigjur. Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për askënd tjetër, ato që kemi në përgjegjësi janë fëmijët tanë. Ndërmarrja e masave juridike ndaj dikujt që ka lidhje familjare me bartësit e funksioneve publike vetëm dëshmon se drejtësia funksionon dhe para drejtësisë do të dalin të gjithë dhe se shteti funksionon”, deklaroi Nazim Bushi, Zëvendësministër i Brendshëm.
Nga organet kërkon që të hetohet edhe sigurimi i tij personal me iniciale S.S, si vëllai i të dyshuarit të parë në aksionin e policisë, Tasim Sadiki.
“Edhe për djalin që është si sigurim personal i imi, do të merren të gjitha masat nëse është i implikuar, por deri tani nuk ka diçka të tillë. Nëse diçka del edhe ai do të mbaj përgjegjësi personale”, u shpreh Nazim Bushi, Zëvendësministër i Brendshëm.
Kompania nga e cila policia thotë se është konfiskuar sasia e marijuhanës, jo zyrtarisht mësohet të jetë Kompania farmaceutike për vaj kanabisi “5 letters” nga Krusheva. Bushi përgënjeshtron informacionet se kjo kompani ka bërë donacion në MPB, përkatësisht, në zyrën e zëvendësministrit të Brendshëm. I dyshuari Tasim Sadiki i cili u kap nga policia mbi dyshimet për vjedhjen e 60 kilogramëve marijuhanë bashkë me dy persona të tjerë, një nga Shqipëria dhe tjetri nga Kosova, ishe i punësuar në kompaninë “5 letters”. Për shkak të sekretit hetimor, Prokuroria Publike për momentin nuk ndanë hollësi nëse lënda do të merret nga Krimi i organizuar dhe a pritet zgjerimi i akuzës. Ndaj tre personave janë ngritur kallëzime penale dhe është caktuar paraburgim 30 ditor./ALSAT