BUXHETI 2023: Kush merr më shumë e kush më pak nga 5.3 miliardë euro të planifikuara për vitin e ardhshëm?

Plani i Ministrisë së Financave për shpenzimin e parave nga thesari i shtetit është para deputetëve, të cilët duhet ta shqyrtojnë në ditët në vijim, pas së cilës do të kenë mundësi të shprehin mendimin e tyre, përcjell FLAKA.

Marketing

Dokumenti që përmban detajet e parave që shteti planifikon të mbledhë dhe të shpenzojë gjatë vitit të ardhshëm është dorëzuar në Kuvend, ku shihet se kush sa do të marrë nga 5.3 miliardë euro të planifikuara.

Se cila ministri ka buxhetin më të madh, pra cila do të ketë më së shumti para për shpenzim gjatë vitit të ardhshëm, mund të shihet përmes buxhetit të përgatitur nga Ministria e Financave.

Në krye të listës me buxhetin më të madh është Ministria e Financave – Funksionet e Shtetit, sektor përgjegjës për funksionimin normal të institucioneve në shtet. Për të janë planifikuar 1.2 miliardë euro dhe këto janë financa që do të përdoren për disa institucione dhe organe qeveritare. Vetë Ministria e Financave merr 23 milionë euro.

Nga ministritë, deri tani buxheti më i madh për vitin e ardhshëm ndahet nga shteti për Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale. Për këtë ministri janë planifikuar mbi 800 milionë euro ose më saktë 868 milionë euro.

Ndër tre institucionet kryesore me fonde buxhetore më të larta është Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas të dhënave në buxhet, MASH-i vitin e ardhshëm do të duhet të marrë gati 506 milionë euro.

Në pesë institucionet e para me buxhet më të lartë është edhe Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, e cila vitin e ardhshëm do të ketë në dispozicion 324 milionë euro.

Më pas në listë për sa i përket mjeteve buxhetore janë Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Vitin e ardhshëm MM-ja do të ketë në dispozicion gati 277 milionë euro, ndërsa MPB-ja 205 milionë euro.

Ndër institucionet që po ashtu kanë një shumë më të madhe për të shpenzuar vitin e ardhshëm është edhe Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, e cila merr 143 milionë euro për të shpenzuar vitin e ardhshëm.

Pas tyre është Ministria e Shëndetësisë, e cila ka në dispozicion gati 112 milionë euro për vitin e ardhshëm.

Në zërin Financimi i aktiviteteve në fushën e kulturës, që në fakt janë mjete të cilat do të shpenzohen nga Ministria e Kulturës për vitin e ardhshëm, kanë në dispozicion gati 66 milionë euro dhe një shumë më të vogël për vetë ministrinë.

“FLAKA” tashmë ka bërë të ditur se sivjet duhet të mblidhen 431 milionë euro nga tatimi mbi të ardhurat personale, krahasuar me 368 milionë euro sa është planifikuar për këtë vit me rebalancin e buxhetit, që do të thotë se planifikohet një rritje prej mbi 17 për qind, apo rritje për 63 milionë euro.

Marketing