Buxheti 2023, VMRO-DPMNE dorëzon 200 amendamente

Grupi parlamentar i VMRO – DPMNE -së ka dorëzuar sot 200 propozim amendamente për buxhetin shtetëror për vitin e ardhshëm.  Deputeti i kësaj partie, Bojan Stojanovski tha se përmes këtyre amendamenteve, mes tjerash, kërkojnë ulje të akcizës së derivateve, me çka pritet të ndikojë edhe në uljen e çmimeve të produkteve, prolongim për një vit të tatimit progresiv dhe të gjitha ndryshimeve në tatimet për të ardhurat personale, si dhe fundjavë pa TVSH për produktet ushqimore.

Marketing

“Amendamentet i përfshijnë edhe kërkesat e sindikatave, përkatësisht rritje të mjeteve për paga për administratën për 15 përqind. Le të pranohet ky amendament, ndërsa sindikatat dhe Qeveria le të dakordohen se si do të ndahen këto mjete. Kërkojmë edhe rritje të pagave në MPB për 10 përqind, por edhe vauçerë prej 3000 denarëve për të gjithë të punësuarit në sektorin publik për tre muajt e parë të vitit 2023” – tha Bojan Stojanoski, Deputet i VMRO – DPMNE-së.

Një pjesë e amendamenteve kanë të bëjnë edhe për investime në fushën e energjetikës, si dhe për përmirësimin e standardit të studentëve dhe nxënësve.

“100 milionë denarë për rekonstruim të konvikteve studentore, 100 milionë denarë për rehabilitim efikas energjetik të konvikteve studentore, 200 milionë denarë për ndihmë financiare për të gjithë nxënësit në arsim fillor dhe të mesëm të cilët vijnë nga familje me të ardhura deri sa paga mesatare, 200 milionë denarë për rritje të subvencioneve për racion studentor nga 120 në 160 denarë, 300 milionë denarë për avancimin e shkencës dhe punën hulumtuese shkencore” – tha Bojan Stojanoski, Deputet i VMRO – DPMNE-së

Qeveria në fillim të muajit nëntor miratoi propozim buxhetin për vitin 2023. Sipas këtij propozimi, është projektuar që të hyrat të jenë 282,05 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet 324,8 miliardë denarë. Deficiti buxhetor është vlerësuar 42,75 miliardë denarë.