Në Komisionin amë për financa dhe buxhet opozita parashtroi një sërë amendamentesh që kryesisht kishin të bëjnë me projekte infrastrukturore nëpër komuna, por të njëjtat nuk u pranuar nga zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi, me arsyetimin se komunat vetë duhet t’i zgjidhin këto probleme përmes aplikimit nëpër fonde të ndryshme. Opozita me këtë rast akuzoi se me buxhetin janë lënë anash komunat e vogla rurale. Zëvendësministrja Elezi tha se nuk është e vërtetë, pasi përmes programit IPARD janë paraparë mjete të shumta për zhvillim të barabartë rajonal.
“Nëse shikohet mirë pr/buxheti, e vërejmë se për komunën e Kratovës pothuajse nuk është paraparë asnjë denarë. Kjo komunë është një komunë e vogël, e cila disponon me një buxhet të ulët dhe nuk mund të ndajë mjete për ndërtimin e këtyre projekteve të cilat ne po i propozojmë”,- tha Stojan Millanov nga VMRO-DPMNE.
“Nuk mund të thuhet se nuk janë paraparë mjete për ndonjë komunë të dedikuar, për shkak se mjetet të cilat planifikohen në buxhet, për shembull në Ministrinë e Bujqësisë, janë siguruar përmes programin IPARD për zhvillim rural. Aty janë paraparë mbi 10 milion euro që komunat të aplikojnë përmes masave 321, 322 dhe 323, dhe do të ketë thirrje publike në pranverë. Pra, bëhet fjalë për një sërë projektesh në të cilat aplikohet vetëm për komunat”,- u shpreh zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi.
Në buxhetin e 2019-s të ardhurat e përgjithshme janë projektuar në 210,8 miliard denarë, ndërkaq shpenzimet në 228,5 miliard denarë. BPV do të rritet në 3.2%, ndërkaq shkalla e inflacionit në 2%.