Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi, ka shpalosur fakte të reja histografike që lidhen me ndikimin e të pavërtetave nga historianë serbë në historinë shqiptare.
Ai ka akuzuar Kosovën dhe Shqipërinë se në tekstet shkollore po fusin gënjeshtra historike.
“Sot është një problem shumë i madh sepse këtë çështje, këtë gënjeshtër të tyre e ka pranuar histografia shqiptare, po flas për këtë institucionale dhe këtë të Kosovës, dhe ata gjithkund thonë Car Dushani, Car Llazari , mbretëria mesjetare serbe dhe e kanë inkorporu edhe në tekstet shkollore. Kjo gënjeshtër vazhdon, ne tash, edhe histografia e Kosovës edhe e Shqipërisë, në tekstet shkollore është shumë skandaloze e shet këtë gënjeshtër serbe si një të vërtetë historike që nuk ekziston”, është shprehur Buxhovi.
Tutje ai ka fajësuar Akademinë e Shkencave të Kosovës dhe atë të Shqipërisë, duke thënë se akomodimet politike po i bëjnë që të heshtin karshi këtyre të pavërtetave dhe dëmeve historike.
“Kom insistu mirëpo vazhdimisht kom has n’kundërshtim sepse janë dy-tri arsye të tilla: historianët të cilët e udhëheqin sot Akademinë e Shkencve në Shqipëri dhe Kosovë, po flas institucional, janë kryesisht të mendësisë ideologjike. Kanë bërë libra, kanë bërë tituj, një pjesë e tyre janë hy edhe në shërbime të politikës për fat të keq dhe janë akomodu shumë mire materialisht dhe me pozicione të tyre. Poqese do të pranohej diçka e tillë, shumë libra të tyre duhet të zhvlerësohen, dhe shumë tekste shkollore duhet të rishkruhen”, ka thënë Buxhovi në Dukagjin.
Buxhovi ka kërkuar një qëndrim të përbashkët shkencor të akademive të Kosovës dhe Shqipërisë ku do të trajtoheshin këto tematika dhe të pranoheshin faktet që i njeh edhe historia.
Faktet dhe studimet rreth këtyre pretendimeve Buxhovi i ka shpalosur në librin e tij të fundit ”Dardania- antika, mesjeta” që së shpejti do botohet edhe në gjuhën angleze.