„ Çarshia është vlera jonë civilizuese dhe pasqyrim i multikulturalizmit tonë, prandaj të gjithë duhet të kujdesemi dhe ta kultivojmë në mënyrë që ajo të sfidojë kohën, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, gjatë vizitës së tij në Çarshinë e Shkupit, ku u prit nga anëtarët e shoqatës së zejtarëve “Esnaf”.
Zëvendëskryeministri Bytyqi vizitën e shfrytëzoi edhe për t’u takuar me kryetarin e ri të Esnafit, Bujar Dullovi dhe anëtarët e udhëheqjes së re, të cilëve u uroi sukses të mandatit dhe realizimin e vizionit të tyre për Çarshinë dhe tha se ata do të ketë mbështetjen e tij të parezervë për nevojat e zejtarëve dhe Çarshisë.
“Çarshia është vlera jonë civilizuese dhe pasqyrim i multikulturalizmit tonë, prandaj të gjithë faktorët duhet të kujdesen dhe ta kultivojnë atë në mënyrë që të sfidojë kohën, ndaj dhe është detyrimi im, por edhe i juaji, të punojmë intensivisht për zhvillimin e mëtejshëm të Çarshisë së Vjetër të Shkupit”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.
Kryetari i Esnafit, Bujar Dullovi, shprehu mirënjohjen e tij për interesimin e shprehur të zëvendëskryeministrit Bytyqi për të dëgjuar nevojat e tyre me shpresë se do të gjejnë një partner në Qeveri me të cilin bashkërisht do të kontribuojnë në rivitalizimin e mëtejshëm të Çarshisë si vlerë historike dhe multikulturore e Maqedonisë së Veriut.
Zëvendëskryeministri Bytyqi gjatë vizitës së tij në Çarshi bisedoi edhe me disa zejtarë për mënyrat e afirmimit të veprimtarisë së tyre, por u njoftua edhe me rivitalizimin e disa rrugëve pothuajse të braktisura, në të cilat së fundi janë hapur objekte hoteliere që ndihmojnë për të rikthyer shkëlqimin që ka e ka pasur Çarshia në të kaluarën.