Në rajonin e Pellagonisë kemi paguar mbi 506 milionë denarë, mbështetje për 77 kompani për periudhën 2018-2022, duke kontribuar kështu në Zhvillimin e Balancuar, tha zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, gjatë vizitës së kompanisë Cermat në Manastir, e mbështetur përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve (LMFI).
Zëvendëskryeministri Bytyqi së bashku me drejtorin e kompanisë, Zoran Ristevski, bënë xhiro nëpër kapacitetet prodhuese të kompanisë, për të cilën tha se është një kompani moderne evropiane që ndjek trendet botërore me përmirësim të vazhdueshëm në prodhimin e akulloreve, dhe në vazhdimësi prezanton produkte të reja, siç janë frutat dhe perimet e ngrira, brumi i fletëzuar, peshku i ngrirë, produkte qumështi dhe ëmbëlsirash, të njohura në vend, në rajon dhe në vendet e BE-së.
“Ndihem veçanërisht i lumtur kur shoh një frymë evropiane, një mënyrë moderne të funksionimit të kompanive tona siç është shembulli i Cermatit, ku çdo produkt prodhohet nga lëndë të para të cilësisë së lartë sipas një recete origjinale dhe teknologjisë më moderne me atë ndërkombëtare të standardit ushqimor IFS. Prandaj me marrëveshjen e parë për mbështetje financiare për periudhën 2017-2021, kompania Cermat merr mbështetje financiare, me theks në pjesën “zhvilluese dhe hulumtuese”, me mbi 48 milionë denarë të paguar”, tha Bytyqi.
Zëvendëskryeministri Bytyqi tha se ndihma financiare e ka inkurajuar Cermatin për një cikël të ri investues, i cili ka hyrë në vitin 2021, me kohëzgjatje të projektit deri në fund të vitit 2025, me Mbështetje Financiare të paguar prej mbi 6 milionë e 400 mijë denarë.
“Kompanitë sikurse Cermat kanë ndikim të madh në zhvillimin ekonomik lokal të Manastirit dhe në zhvillimin rajonal dhe krijojnë vende të paguara mirë të punës dhe pikërisht për këtë arsye në rajonin e Pellagonisë kemi paguar mbi 506 milionë denarë në mbështetje të 77 kompanive. për periudhën 2018-2022, me të cilën kontribuojmë për Zhvillim të Balancuar”, tha Bytyqi.
Zëvendëskryeministri Bytyqi informoi se vetëm vitin e kaluar janë nënshkruar mbi 270 kontrata të reja mbështetëse me kompani që kanë hyrë në cikle investimi prej rreth 145 milionë euro dhe do të krijojnë më shumë se 3700 vende pune në pesë vitet e ardhshme ose deri në përfundimin e kontratave të tyre.
“Qeveria do të vazhdojë të mbështesë kompanitë vendore për zhvillim teknologjik, digjitalizim, inovacion dhe konkurrueshmëri më të madhe në tregjet ndërkombëtare, sepse kështu i zhvillojmë për punonjësit e tyre, të cilët garantojnë vendet e tyre të punës dhe hapin të reja”, tha Bytyqi.