Bytyqi në takim me kompani të huaja: Kompanitë e huaja dhe Qeveria kanë një partneritet të qëndrueshëm për punë dhe zhvillim

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, dhe ekipi ekonomik i Qeverisë së RMV-së, mbajtën takim tremujor të rregullt të punës me Asociacionin e kompanive të huaja me prodhimtari të avancuar teknologjike, në të cilën u diskutuan propozime dhe zgjidhje të ndryshme që do të ndikonin në përmirësimin e kushteve për të bërë biznes në vend.

Marketing

Në takim u diskutuan nismat dhe propozimet kryesore që kanë të bëjnë me çështjet e Energjisë dhe Infrastrukturës, në pjesën e lehtësimit të procedurave për instalimin e fotovoltaikëve në kompanitë e mëdha prodhuese.

Tema të tjera të takimit ishin doganat, tatimet, ndihma shtetërore, tregu i punës dhe kujdesi ndaj investitorëve.

Një pjesë e kërkesave të Asociacionit të kompanive të huaja me prodhimtari të avancuar teknologjike i referoheshin harmonizimit të tarifave doganore deri në nivel të BE-së, për etiketa tarifore shtesë për lëndët e para dhe repromaterialet, vazhdimin e zbatimit të Ligjit për subvencionimin e kontributeve nga sigurimi social i detyrueshëm për shkak të rritjes së pagave, përkthimi i standardeve ndërkombëtare për raportimin financiar dhe një sërë temash të tjera që do të përmirësonin kushtet për të bërë biznes në vend.

“Gjithmonë i dëgjoj me vëmendje komentet e investitorëve dhe jam i hapur për komente sesi mund të përmirësohen kushtet për funksionimin e kompanive. Përpjekjet tona shkojnë në drejtim të mbështetjes së ekonomisë nga burimet e rinovueshme të energjisë, gjë që është shumë domethënëse për ne si Qeveri”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Përfaqësuesit e pranishëm nga Asociacioni i kompanive të huaja shprehën kënaqësinë e tyre për bashkëpunimin me institucionet shtetërore, bashkëpunim i cili është në interes të ekonomisë dhe të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në tërësi.