Bytyqi për 1 Maj: Qeveria mbetet partner i sinqertë i punëtorëve

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Farmir Bytyqi me rastin e festës së 1 Majit ka theksuar se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut vlerëson kontributin e punëtorëve për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik.

Marketing

Në vazhdim letra e plotë e zëvendëskryeministrit Bytiqi…

„Të nderuar punëtorë dhe punëtore,

Puna juaj është ajo që e mban komunitetin tonë. Ju jeni shtylla kurrizore e shoqërisë sonë dhe ne e njohim dhe vlerësojmë kontributin tuaj në suksesin tonë të përbashkët dhe zhvillimin ekonomik.

Sot shprehim respekt për angazhimin tuaj në vendet e punës, për profesionalizmin dhe etikën tuaj të punës, festojmë punën, përkushtimin dhe kontributin e juve punëtorëve dhe punëtoreve, për të mirën tonë dhe për të mirën e brezave të ardhshëm.

Pas disa vitesh rritjeje të vazhdueshme të mbështetjes për punëtorët, politika sociale në vendin tonë nuk duhet të varet më kurrë nga vullneti i individëve dhe as nga marketingu partiak.

Nga viti 2017 e kemi rritur pagën minimale për më shumë se 100%, sot ajo arrin 20.175 denarë. Gjatë krizës së shkaktuar nga COVID-19, ne ndihmuam të shpëtojmë 250.000 vende pune dhe mbështetëm 35 mijë kompani.

Të dashur punëtorë dhe punëtore, këto nuk janë fjalë boshe, por janë numra realë.

Siguruam që e diela të jetë ditë jo pune, kurse për ata që zgjedhin të punojnë është siguruar mëditje e dyfishtë.

Gjatë gjithë këtyre viteve ne kemi një marrëdhënie partneriteti me sindikatat dhe jemi vazhdimisht në këmbë bashkë përpara sfidave të radhës siç janë marrëveshja e përgjithshme kolektive si dhe harmonizimi i pagave me rritjen e pagës minimale.

Ne qëndrojmë me vendosmëri në rrugën për të mbështetur sistematikisht luftën për të drejtat e punëtorëve, nuk do të mbeteni kurrë të vetëm, do të keni gjithmonë një aleat në luftën për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e juaja.

Le të jetë kjo ditë një kujtim i rëndësisë së lëvizjes punëtore dhe një thirrje për të vazhduar luftën për paga më të larta, kushte të sigurta pune dhe të drejta të punëtorëve.

Gëzuar 1 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Punës.
Dhe nesër, por dhe çdo ditë në vijim, Qeveria mbetet një partner i sinqertë i punëtorëve dhe punëtoreve.“