Bytyqi: Sivjet duhet të hapim thelbësisht çështjen e fuqisë punëtore në vendin tonë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi sot mbajti fjalim në konferencën vjetore me temë: “Sfidat ekonomike në vitin 2023: si ta ruajmë rritjen ekonomike dhe transformojmë ekonominë”, organizuar nga Këshilli për avancimin e arsimit të lartë dhe kërkimit strategjik në kuadër të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Marketing

Zëvendëskryeministri Bitiqi u adresua në panel diskutimin me temën “Si të arrihet ulja e inflacionit dhe rritja ekonomike në të njëjtën kohë”. Në pyetjen e moderatorit të panelit, profesor Bishev, se cilat janë prioritetet për ekonominë tonë, zëvendëskryeministri Bytyqi iu referua 3 viteve të kaluara, sfidave dhe mësimeve që kemi kaluar dhe çfarë kemi nxjerrë prej tyre, duke iu referuar prioritetit kryesor të ekonomisë sonë, e që është pyetja – A kemi arritur në 30 vjet të krijojmë një ekonomi mjaft konkurruese dhe mjaft elastike për t’u përballur me kriza dhe situata të paparashikueshme. Përgjigjja është edhe po edhe jo, theksoi Bytyqi.

“Po, ne kemi një ekonomi të tillë, sepse vitet e fundit na kanë konfirmuar se është e qëndrueshme, rezistente dhe mund t’i mbijetojë krizave të mëdha dhe të paparashikueshme sikurse Covid-i dhe kjo krizë energjetike, por nga ana tjetër nuk mjafton, sepse jemi ende të varur nga importi dhe po përballemi me mungesë burimesh.” – tha zëvendëskryeministri Bytyqi.

Duke iu referuar disa synimeve afatshkurtra dhe afatgjata, në të cilat duhet të fokusohemi nëse duam një ekonomi konkurruese dhe elastike që do të çojë në zhvillim.

“Ne kemi disa prioritete afatshkurtra për të cilat kemi punuar që dje, sot, nesër.

E para është ulja dhe ruajtja e normës së inflacionit, pa kaluar ekonomia në recesion.

Prioriteti i dytë është stabiliteti dhe diversifikimi i energjisë, duke mos harruar as aspektin social apo tranzicionin e drejtë, në mënyrë që askush të mos mbetet i ekspozuar ndaj goditjes së çmimeve dhe i pambrojtur. Me përkushtim po punojmë për këtë dhe rezultatet tashmë janë të dukshme, për të mos përsëritur, i përmendi edhe kryeministri në fjalimin e tij.

Besoj se mbështetja financiare për ruajtjen e likuiditetit të kompanive duhet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Vitin e kaluar Qeveria ndihmoi fuqishëm ekonominë, e cila kontribuoi duke ruajtur gjendjen ekonomike dhe duke mbajtur vendet e punës, krahas investimeve për rritjen e konkurrueshmërisë së tyre duke hapur linja të reja prodhimi, duke avancuar teknologjinë dhe duke investuar në hulumtim e zhvillim. Ballafaqimi me mungesën e fuqisë punëtore është një çështje që do të duhet ta hapim vitin e ardhshëm, prandaj e vendosa në prioritetet afatshkurtra, por do të kalojë në të menduarit afatgjatë dhe zhvillimin e ekonomisë.”- tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi vazhdoi diskutimin drejt synimeve afatgjata për zhvillimin e ekonomisë sonë dhe të vendit në përgjithësi.

“Këto prioritete afatgjata duhet të çojnë në krijimin e parashikueshmërisë dhe ndryshimin e strukturës së ekonomisë sonë.”- theksoi Bytyqi, i cili përmendi në fjalimin e tij se një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm është fillimi i krijimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit, e cila nuk do të jetë vetëm një dokument ekonomik, por një strategji që do të hartojë një rrugë për zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë për 20 vitet e ardhshme.

“Një synim afatshkurtër që duhet ta shikojmë dhe që do të ketë efekte afatgjata është rritja e produktivitetit dhe raporti me pagat, por përfundimisht duhet të flasim për hapjen e tregut tonë të punës.”- tha Bytyqi, i cili duke iu drejtuar të pranishmëve në sallë, theksoi se nuk ka njeri në sallë, pra nuk ka asnjë kompani që nuk ka probleme me mungesën e fuqisë punëtore. “Angazhimi im është që në pranverë të këtij viti të hapim diskutim të plotë si dhe Plani operacional të punësimit për kuotën e të huajve në vendin tonë. Mendoj se është koha për të hapur tregun tonë të punës, me synimin për të rritur konkurrueshmërinë kurse ne e dimë se faktori njerëzor është çelësi për rritjen e konkurrueshmërisë”- përfundoi Bytyqi.