Në Komunën e Çairit u përurua busti i ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Vudrou Uillson (Woodrow Willson), në një ceremoni me një akademi përkujtimore dhe fjalime para pjesëmarrësve. Të pranishëm ishin funksionarë shtetëror dhe përfaqësues të ambasadës së SHBA-ve në Shkup.
“Presidenti Uillson ka qenë vizionar, diplomat dhe njeri i cili ka pasur botëkuptim të qartë se një president duhet gjithmonë të jetë në shërbim të popullit dhe se populli është sovrani dhe ai vetë duhet të vendosë për fatin e vet. Ai ka qenë kundër asaj që fuqitë e mëdha të vendosin për fatin e shteteve të vogla, sado që të jenë ato të pafuqishme”, deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
“I njohur si progresiv në kohën e tij, Presidenti Uillson luftoi për popujt e Evropës për të ushtruar të drejtat e tyre për vetë-përcaktim dhe shërbeu si bazë për krijimin e shteteve të Evropës moderne”, tha Shenon Ranian, shefe e sektorit të politikës dhe ekonomisë në ambasadën e SHBA-ve.
“Uillsoni ishte ai që demaskoi traktatet e fshehta në kurriz të popujve të vegjël. Për këtë arsye vendoset këtu dhe të shërbejë si një yll në pavdekësi për të përcjellë mesazhe e mesazhe në gjeneratat që do të vinë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.