Çair, qytetarët mbështesin aksionin e policisë për zhbllokim të komunikacionit

Aksioni i policisë që po zhvillohet për disa ditë me radhë në komunën e Çairit ka për qëllim mënjanimin e makinave të parkuara gabimisht me të vetmin qëllim, që qytetarëve t’iu mundësohet lëvizje e lirshme.

Marketing

Gjatë ditës së sotme kamera e TVM2 inspektoi rrugët e Çairit ku nga të dyja anët e rrugës shihen patrulla policore të cilat largojnë veturat e parkuara nëpër rrugë dhe trotuare. Qytetarët e anketuar përkrahin aksionet e këtilla, ndërsa apelojnë që edhe vozitësit të jenë më të kujdesshëm.

“Duhet me qenë çdo herë e pastruar, pasi qytetarët nuk i kanë parasysh këto rregulla, çfarë të bëjmë. Rruga duhet të jetë e pastruar, e pastruar nga veturat, gjithë pastër duhet të jetë, që të mund të lëvizim dhe të mund marrim ajër të pastër”,- tha një qytetar.

“Edhe më mirë duhet të jetë, jo vetëm kështu. Të mënjanohen veturat edhe nëpër rrugët e tjera, por sërish them edhe kjo është mirë, pasi më herët nuk ka qenë kështu. Të vazhdohet kështu!”,-u shpreh një qytetar.

Nga komuna e Çairit përshëndesin aksionin në fjalë, ndërsa inkurajojnë autoritetet kompetente që këto masa t’i zbatojnë në vazhdimësi.

“Komuna e Çairit në vazhdimësi i ka përkrahur aksionet për pastrimin e rrugëve të bllokuara nga makinat, respektivisht masat e ndërmarra nga organet kompetente për të rregulluar çështjen e komunikacionit të ngarkuar në territorin e saj. Dhe kuptohet që ne si njësi e pushtetit lokal i inkurajojmë aksionet e këtilla, që të vazhdojnë edhe në ardhmen, që në fund të kemi komunikacion më të sigurt”,- theksoi zëdhënësi i komunës së Çairit, Kushtrim Alla.

Ndryshe, aksioni për mënjanimin e veturave që ndodhen të parkuara gabimisht është zbatuar edhe gjatë ditës së sotme nëpër të gjitha rrugët kryesore në Çair.

Marketing