Komuna e Çairit sot ishte nikoqire e prezantimit të parë publik të Fushatës për mjedis të pastër „Ndryshimi Pozitiv”, iniciativë kjo e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për ngritjen e ndërgjegjësimit publik dhe edukimin e qytetarëve dhe subjekteve për trajtimin e duhur të mbeturinave.
Prezantimi u realizua para përfaqësuesve të komunave nga sektori i mjedisit dhe komunikimeve nga Rajoni Planifikues i Shkupit, të cilët paten mundësinë të njihen me qëllimet e fushatës dhe mënyrat se si mund të angazhohen.
“Sot, nga këtu në Komunën e Çairit, e fillojmë fushatën kombëtare të quajtur „Ndryshimi Pozitiv“, e cila ka për qëllim për të kontribuar në përmirësimin e ndotjes shumëvjeçare në vend”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimin Hapësinor, Naim Vrenezi, duke shtuar se kjo është një iniciativë e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për të ngritur ndërgjegjësimin publik dhe edukimin e qytetarëve dhe subjekteve për trajtimin e duhur të mbeturinave.„Përgjegjësia për menaxhimin e duhur të mbeturinave i takon të gjitha palëve të tanguara: Qeverisë, komunave, personave juridikë që menaxhojnë mbeturinat, qytetarëve dhe sektorit privat“, shtoi Vrenezi.
Udhëheqësja e Sektorit për mbeturina Ana Maznevska-Karanfillova, informoi se fushata është financuar me mjete të ndara nga kompenzimi që paguhet nga tregtarët për qytetarët që blejnë qese plastike, me vlerë prej 13.450.000,00 denarë. Pjesa tjetër e mjeteve të mbledhura nga ky burim është investuar në furnizimin e kosheve për mbledhjen e mbeturinave për komunat në të gjithë vendin. Në këtë mënyrë, mjetet e mbledhura nga qytetarët kthehen te qytetarët.
Fushata do të zgjasë për një periudhë prej 6 muajsh dhe përfshin 2 video edukative me mesazhe, 3 spote promocionale të shkurtra dhe 8 emisione televizive me të ftuar nga fusha përkatëse.
Në kuadër të fushatës do të realizohen gjithsej tetë prezantime publike të fushatës, një në secilin rajon planifikues, dhe përveç në Çair, ato do të vazhdojnë në Kumanovë, Tetovë, Manastir, Strugë, Strumicë, Kavadar dhe Shtip.
Po ashtu, do të realizohen tetë ngjarje edukative “Unë jam heroi i ri i ekologjisë” në një shkollë në secilin rajon planifikues