Çairi shqiptar përballë Naisas, EHF-ja shmangu përballjet e skuadrës serbe me ato kosovare

Pas vetëm një viti në elitën e hendbollit të Maqedonisë së Veriut, klubi shqiptar nga Shkupi, Çair, do të debutojë në Evropë. Çairi do të luajë në raundin e dytë të Kupës Evropiane, ndërsa përballë do ta ketë skuadrën serbe Naisa Nish.

Marketing

Kështu është vendosur me shortin e tërhequr të martën në Vjenë. Në të vërtetë EHF-ja është kujdesur që Naisa mos të përballet me skuadrat kosovare. EHF-ja nuk lejon përballje të Kosovës e Serbisë me përfaqësuese e klube.

Por pasi shmangu përballjet me ekipet kosovare, Naisas i ra të luajë me një ekip tjetër shqiptar, atë nga Shkupi. Leonora Rrahmani është emri më i njohur në klubin Çair. Ajo është kapitene e skuadrës.

“Për herë të parë garojmë në kupa evropiane. Këtë e arrijmë pas vetëm një viti në ligën superiore të Maqedonisë. Është sukses jashtëzakonisht i madh”, ka thënë Rrahmani për KOHËN, të martën.

Në fakt Naisa vlerësohet favorite e madhe. Kjo skuadër nga Nishi ka suksese në Evropë dhe përvojë të madhe.

“Synimi kryesor është të tregojmë kualitetin tonë, të luajmë me disiplinë dhe korrektësi. Do të luajmë lojën tonë të zakonshme, pavarësisht kualitetit të kundërshtarit. Kalimi në raundin tjetër natyrisht është synim. Naisa është ekip cilësor, me shumë përvojë në Evropë. Por viteve të fundit ka probleme në organizim. Këtu e shohim rastin tonë për befasi në këto përballje”, ka shtuar Rrahmani.

Ajo pritet ta udhëheqë skuadrën në ndeshjet e tetorit. Rrahmani, që ka luajtur edhe në Kosovë, ka treguar se Çairi është klub i organizuar, me shkollë të hendbollit dhe katër gjenerata lojtaresh. I ka katër trajnerë po ashtu. Në edicionin e kaluar Çairi ishte në vend të katërt në kohën kur u ndërpre kampionati në vendin fqinj. Kështu fitoi të drejtën të luajë në Kupa Evropiane.

“Tani synojmë të bëhemi kampionë dhe edicionin e ardhshëm të luajmë në Ligën e Kampionëve”, ka shtuar Rrahmani. Ajo ka sanuar një lëndim që e ka mbajtur gjatë jashtë lojës. Thotë se insistimi i trajnerit Basri Latifi e ka bindur të kthehet në ekip. Ajo ka luajtur në Kupa Evropiane me Istogun. Te Naisa nuk e vënë në dyshim kalimin tutje. “Jemi të lumtur për shumë arsye. Shkupi është afër dhe nuk do të ketë telashe për të organizuar udhëtimin. Sa i takon kualitetit, jam i sigurt që është në anën tonë. Kështu që pres plasman të sigurt në raundin tjetër”, ka thënë Svetislav Jovanoviq, trajner i Naisas.