Çairi triumfon në sekondat e fundit ndaj Kumanovës

Derbi i xhiros së 7-të në fazën play-off të Ligës së Femrave mes Kumanovës dhe Çairit përfundoi me fitore dramatike të mysafireve me rezultat 27:26. Kumanova kishte epërsi për pjesën më të madhe të kohës, por nuk arriti ta ruajë avantazhin deri në fund.

Marketing

Skuadra vendase, e nisi më mirë ndeshjen, duke krijuar epërsi 5:2 pas dhjetë minutave të para dhe duke e çuar diferencën në 10:6 në mesin e pjesës së parë. Çairi me trajnerin Basri Latifi u përpoq të reagonte dhe afroi rezultatin në 11:9, por Kumanova ruajti qetësinë dhe e mbylli pjesën e parë në avantazh 15:12.

Në fillim të pjesës së dytë, Kumanova u shkëput në 17:12 dhe dukej në rrugë të sigurt drejt fitores, por Çairi nuk u dorëzua. Mysafiret realizuan një seri prej 5:0, duke barazuar rezultatin në 21:21. Në minutën e 50-të, rezultati ishte 22:22, ndërsa Kumanova u rikthye në epërsi 24:22, por sërish nuk arriti ta mbyllte ndeshjen.

Në minutat e fundit, çdo aksion ishte vendimtar, ndërsa portierja Kojoviq ishte heroina e Çairit me pritjet e saj kyçe. Në sekondat e fundit, Guliçoska realizoi nga penalltia për epërsinë 27:26, ndërsa Kumanova humbi shansin për të barazuar në aksionin e fundit, duke i dhënë mundësinë Çairit të festojë një fitore të madhe.