Cana: T’u përmbahemi rregullave deri sa të jetë gati vaksina

Të gjithë po presim vaksinën kundër virusit Covid 19. Por deri sa nuk është gati vaksina ne duhet të mbrohemi dhe të kemi sa më pak të infektuar. Kështu tha infektologu Fadil Cana. Ai thekson se duhet kohë deri sa të jetë gati vaksina e parë. Sipas tij testimi i vaksinës duhet të kalojë në disa etapa dhe zakonisht shkon deri në 12 apo 18 muaj.

Marketing

“Këto etapa nuk mund të bëhen në mënyrë të shpejtë pasi që siç dihet deri tek aplikimi në njeri të shëndoshë duhet ti kalojnë të gjithë etapat e para klinike për të cilët duhet teorikisht kohë. Atë që thash nuk është vetëm vlerësimi im, është vlerësim gati se i të gjitha institucioneve me renome botërore të cila merren me hulumtimin dhe zbulimin e vaksinave”, tha Vadil Cana Infektolog.

Gjithashtu infektologu Cana bëri apel që qytetarët tu përmbahen rregullave deri sa të dalë vaksina e parë.

Për vaksinën dje foli edhe i pari i Shëndetësisë Venko Filipçe. Ai tha se zbutja e masave mund të ndodhë në fillim të majit, nëse vlerësohet se është në rregull të ketë zbutje të ndalesave, por prapëseprapë ndryshimi i masave do të bëhet dalë-ngadalë, gjithnjë duke mbajtur distancën sociale.

“Qytetarët patjetër të jenë të vetëdijshëm se nuk do të mund, jo vetëm tek ne por gjithkund në botë, që jeta të kthehet në normalitet ashtu siç ishte, sepse do të kalojë periudhë e gjatë kohore deri në fund të këtij viti, me shumë gjasa edhe në fillim të vitit të ardhshëm, deri sa nuk del vaksina”, tha Venko Filipçe Ministër i Shëndetësisë.

Por sa kohë do të duhet që Maqedonia si një vend i vogël të mund të sigurojë vaksinën? Zv/kryeministri Bujar Osmani para disa ditëve në emisionin Clik Plus tha se i ka propozuar një ide ministrit Venko Filipçe që Maqedonia e Veriut të mund sa më shpejt të blejë vaksina.

“Sasitë janë të kufizuara. Shtete e mëdha nuk kursejnë mjete për të blerë dhe ju si shtet i vogël e keni shumë të vështirë të arrini në radhë për të blerë. I kam rekomanduar edhe Ministrit të Shëndetësisë që punën e parë që duhet të bëjmë është që të lidhemi me shtetet e mëdha, që në momentin kur të del vaksina, të mundemi të blejmë bashkë”, tha Bujar Osmani Zv/kryeministër.

Deri më tani asgjë nuk ka konkrete për vaksinën kundër virusit Covid 19. Por shtetet e fuqishme po bëjnë gara se cila do të jetë e para që do të zbulojë vaksinën për të parandaluar koronavirusin që ka kapluar të gjithë botën dhe ka marrë jetën e mijëra njerëzve.

Marketing