Carovska në takim të rregullt koordinues me drejtorët e shkollave: Prioriteti ynë i përbashkët është t’i mbajmë shkollat të sigurta

Situata me Кovid 19 në shkolla është stabile, ndiqet në nivel ditor dhe sipas vlerësimeve të Shtabit të Përgjithshëm Koordinues të Krizave, tani për tani nuk ka nevojë të ndryshohet modeli për mënyrën e zhvillimit të mësimdhënies, sepse nuk ka transmetim të brendshëm të virusit në shkolla. Këtë e theksoi Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Milla Carovska, në mëngjes në takimin e rregullt koordinues me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme në vend.
Drejtorët e informuan ministren për rrjedhën e mësimdhënies me prezencë fizike si dhe rrjedhën e zbatimit të proceseve të reformës në klasën e parë dhe të katërt. Ata theksuan se të gjitha sfidat tejkalohen aktualisht dhe se tani për tani gjithçka realizohet sipas planit dhe dinamikës së paraparë.
“Prioriteti ynë kryesor i përbashkët është dhe duhet të jetë parandalimi i shkollave nga përhapja e Kovid 19, sepse është më mirë që nxënësit mësimin të ndjekin sa më gjatë me prani fizike në klasat. Prandaj bëj thirrje për respektimin e vazhdueshëm të protokolleve për mbrojtje nga udhëheqësit, mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit, sepse vetëm ashtu mund t’i mbajmë shkollat të sigurta dhe më gjatë të hapura për nxënësit. “Protokollet janë të thjeshta: mbajtja e detyrueshme e maskave mbrojtëse në ambiente të mbyllura, dezinfektimi i shpeshtë i duarve, matja e temperaturës së trupit kur hyni në shkolla dhe ajrosja e shpeshtë dhe mirëmbajtja e higjienës në ambientet e shkollës,” tha Carovska.
Në takim u konstatua dhe se sistemi arsimor është përgatitur për skenarët e tjerë rezervë, nëse lind nevoja për zbatimin e tyre. Drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme kanë konfirmuar se kanë të gjitha burimet e nevojshme për të kaluar shpejt në mësimin online, nëse ka ndonjë vendim për atë.

Marketing

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të marra nga shkollat në bazë ditore, numri i nxënësve të sapo infektuar lëviz nga 0.01 në 0.03% nga gjithsej 240 mijë nxënës, që është përqindje jashtëzakonisht e ulët. Gjithashtu, mbi 72% nga kuadri mësimor janë të vaksinuar, që është pothuajse dyfish nga mesatarja kombëtare.