Carovska: Nuk duhet të lejojmë shkollat të jenë të mbyllura

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska nuk ndërron mendje sa i përket fillimit të vitit shkollor me prani fizike.

Marketing

Thotë se të gjitha institucionet relevante, qofshin ato shëndetësore apo arsimore kanë rekomanduar kthimin e nxënësve në banka shkollore.

Shton se për mbrojtjen e tyre ka edhe protokolle dhe se shkollat janë të pajisura me mjetet e nevojshme për zbatimin e të njëjtave.

“Pandemia do të vazhdojë, por nuk duhet të lejojmë që shkollat të jenë të mbyllura në ditën e parë të vitit shkollor. Rekomandimi i UNICEF-it, por edhe i të gjitha organizatave tjera që punojnë në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të fëmijëve është i qartë, ato (shkollat) duhet të parat të hapen, kurse të fundit të mbyllen. Nuk ka opsion më të mirë për nxënësit se sa mësimi me prani fizike. Kjo është me rëndësi të veçantë për fëmijët tanë, sepse hyjmë në një vit të ndryshimeve të mëdha në sistemin arsimor. Siç e dini, fillojmë me reformat në klasën e parë dhe të katërt, të cilat ndryshe nuk do ta arrinin efektin e projektuar nëse mësimi zhvillohet në formë tjetër dhe nuk ka interaksion me mësimdhënësin”, tha Carovska.