Cavani e frymëzon Uruguain drejt çerekfinales, e çon në shtëpi Portugalinë e Ronaldos

Edinson Cavani me dy golat e tij e ka dërguar Uruguain në çerekfinale të Kupës së Botës në Rusi të shtunën.
Uruguai e mposhti Portugalinë 2-1, me dy golat e sulmuesit të PSG-së.

Marketing

Uruguai e nisi furishëm takimin dhe një super bashkëveprim i dyshes sulmuese, Edinson Cavanit dhe Luis Suarezit solli golin e epërsisë për Kombëtaren nga Amerika e Jugut pas vetëm shtatë minutave lojë, raporton Gazeta Express.
Cavani shënoi me kokë për 1-0 pasi pranoi një super pasim nga Suarez.

Një pjesë e parë e dominuar nga Portugalia në posedim dhe kontrollim të lojës u mbyll me epërsinë e Uruguait.
Por, portugezët reaguan shpejt në pjesën e dytë dhe i barazuan shifrat përmes mbrojtësit Pepe, i cili shënoi me kokë nga afërsia, dhjetë minuta brenda pjesës së dytë.

Edinson Cavani ia ktheu rezultatin Uruguait kur kishin mbetur më pak se gjysmë ore lojë, duke shënuar në krahun e majtë të portierit me një goditje me efej.
Cristiano Ronaldo u përpoq ta frymëzojë Portugalinë drejt barazimit, por pa sukses.

Kështu, Portugalia i bashkohet Argjentinës si dy skuadrat e para të eliminuara në fazën e nokautit direkt.
Ndërsa, Uruguai do ta vazhdojë ëndrrën dhe do të përballet me Francën në çerekfinale.

Marketing