Rreth 12 për qind nga numri i përgjithshëm i fëmijëve të lindur të gjallë në Maqedoni në vitin 2016 kanë lindur jashtë martese, tregojnë të dhënat e Eurostat, derisa në Bashkimin Evropian mesatarja është 42 për qind.
Në vendet e rajonit, sipas Eurostat, ky numër lëvizë nga 58,6 për qind në Bullgari, 41,6 në Kosovë, 26 në Serbi, 19 në Kroaci deri në 9,4 për qind në Greqi.
Mesatarja në nivel të BE-së, është për rreth 15 për qind mbi vlerësimin në vitin 2000, prej ku gradualisht shënon rritje prej rreth një pikë përqindje në vit. Kjo sinjalizon ndryshim të vlerave familjare, gjegjësisht rritje në numrin e lidhjeve jashtëmartesore dhe çifteve, si dhe prindërve të pavarur.
Në tetë vende anëtare të BE-së në vitin 2016, sipas Erostat, ka më shumë fëmijë të lindur gjallë jashtë martesa. Në Francë si të tillë janë të regjistruar 60 për qind, në Bullgari dhe Slloveni 59, Estoni 56, Suedi 55, Danimarkë 54, Portugali 53 dhe Holandë 50 për qind. Për krahasim, mbi 80 për qind nga fëmijët e lindur të gjallë në Greqi, në Kroaci dhe Qipro janë të regjistruar në bashkësi martesore.
Mes vitit 2015 dhe 2016 numri i fëmijëve të lindur jashtë martese shënon rritje në pothuajse çdo vend anëtar të BE-së, me përjashtim të Estonisë, Italisë, Lituanisë, Hungarisë dhe Britanisë së Madhe. Në Zvicër dhe Lihtenshtajn përqindja e fëmijëve të lindur gjallë jashtë martese në vitin 2016 është nën 25 për qind, krahasuar me Norvegjinë me 56 për qind dhe Islandën me 70 për qind.