Mërgimtarët, qytetarët dhe biznesmenët e Maqedonisë në të ardhmen nuk do të mund të bëjnë pagesa kesh në vlerë më të lartë se 2000 euro. Ky kufizim i pagesave në dorë është për shkak se nga 7 korriku i këtij viti, pas publikimit në gazetën zyrtare të Maqedonisë, hyri në fuqi Ligji i cili zvogëlon vlerën e pagesave në dorë dhe çdo pagesë në dorë që tejkalon shumën mbi 2000 euro, patjetër të kalojë përmes bankave apo institucioneve tjera financiare siç janë “Western Union” apo “Money Gram”, shkruan gazeta KOHA.
Para se të hynë në fuqi ky Ligj, lejohej që qytetarët apo biznesmenët të mund të paguajnë para kesh në vlerë deri më 13.000 euro. Miratimin e këtij Ligji Qeveria e arsyeton me faktin se, me zvogëlimin e vlerës për pagesa kesh nga 13.000 euro në 2000 euro, dukshëm do të kontribuohet në parandalimin e larjes së parave apo financimin e organizatave terroriste.
“Ndalohen pagesat kesh apo pranimin e pagesave kesh apo këmbimin e valutave të huaja në denarë që kapin vlerën më shumë se 2000 euro qoftë për një transaksion apo më shumë transaksione që nuk kalojnë përmes bankave apo institucioneve tjera financiare në vend”, thotë Mile Boshnjakovski, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë. Gjithashtu, ai informoi se nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të ketë përforcime plotësues të pagesave kesh.
Sipas tij, zgjidhja e re ligjore sa i përket Ligjit të vjetër, i cili lejonte pagesat kesh të mallrave apo shërbimeve në vlerë deri më 1000 euro, nga 1 janari i viti 2019 kjo pagesë zvogëlohet në 500 euro dhe pagesa mund të kryhet vetëm në valutën e denarit.
“Kjo ndalesë e pagesave kesh vlen edhe për personat fizik dhe juridik. Çdo pagesë që do të kryhet në vlerë prej 500 eurove në kundërvlerë në denarë, do të duhet patjetër të regjistrohet si qarkullim ditor që do të thotë se vlera do të tatimoret. Në drejtim të uljes së ekonomisë joformale, Ligji i ri do të ndalon çdo pagesë në kesh në vlerë prej 15.000 euro në 2000 euro që në mënyrë direkt do të kontribuon në uljen e ekonomisë joformale”, thotë Boshnjakovski.
Përveç kufizime të pagesave kesh të personave fizik dhe juridik, Ligji ri mendohet se do të rrisë dhe kompetencat e institucioneve shtetërore përkatëse për kontrollimin e funksionarëve shtetëror që të mos munden në të ardhmen të marrin veprime jashtëligjore për larje parash. (koha.mk)