Pamje të njerëzve që lahen në shatërvanë në Itali janë më se të zakonshme tashmë në Italinë fqinje, por edhe në Greqi dhe vende të tjera të Europës jugore.
Që nga fillimi i muajit korrik, kryesisht kjo pjesë e kontinentit të vjetër është përfshirë nga vala e një të nxehti ekstrem.
Ekspertët e shërbimit meteorologjik kanë paralajmëruar temperatura rekord mbi 40 gradë celsius, edhe gjatë ditëve në vijim sidomos në Spanjë, Francë, Greqi, Kroaci dhe Turqi.
Ndërsa në Itali është aktivizuar alarmi i kuq i emergjencës në 10 qytete, përfshirë Romën, Bolonjën dhe Firencen, ku është paralajmëruar se termometri mund të arrijë deri në 48 gradë celsius.
Vala e të nxehtit, “Cerberus” – e quajtur kështu sipas përbindëshit me tre koka që shfaqet në “Ferrin e Dantes”, po sfidon durimin dhe shëndetin e njerëzve, të cilët këshillohen vazhdimisht që të marrin masa.
Ekspertët shprehen se dukuri të tilla lidhen me ndryshimet klimatike dhe po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.