Certifikata e BE-së funksionale më 1 korrik

Certifikata COVID-19 e Bashkimit Europian do të jetë operacionale deri më 1 korrik, deklaroi sot komisioneri europian i Drejtësisë, Didier Reynders duke përshëndetur një marrëveshje të arritur mbi projektin si një lajm i mirë për të gjithë qytetarët europianë.

“Megjithatë, një periudhë tranzicioni prej gjashtë javësh do të vazhdojë për shtetet anëtare që kanë nevojë për më shumë kohë”, shtoi komisioneri.

Kjo mbulon pjesën më të madhe të sezonit turistik në korrik dhe gusht.

Marketing

“Skema do të lejojë qytetarët e BE të qarkullojnë më lirshëm brenda BE-së në siguri të plotë shëndetësore dhe do të mbështesë sektorët ekonomikë të varur nga lëvizja e lirë”, theksoi Reynders.

Negociatorët nga vendet anëtare, Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian ranë dakord mbi detajet e dokumentit të enjten në mbrëmje, raporton ATSh.

Tri lloje të certifikatave do të jenë në dispozicion falas në letër ose të digjitalizuara, një që vërteton vaksinimin me një vaksinë të aprovuar nga BE, një test negative dhe një për personat që kanë kaluar COVID-19.

Pasi plani të zbatohet plotësisht, shtetet anëtare në parim duhet të përmbahen nga vendosja e ndonjë kufizimi shtesë të udhëtimit, siç janë kërkesat e karantinës mbi mbajtësit e certifikatave.