Princi Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan mbajtën shumë sekrete rreth lindjes së djalit të tyre, Archie Harrison Mountbatten-Windsor, mëngjesin e 7 majit. Kjo ishte diçka që ata e kishin paralajmëruar gjatë dhe pas shtatzënisë, kur bota mbeti për disa ditë në pritje të emrit dhe fotos së parë të bebes.
Por, certifikata e lindjes së foshnjes Archie ka dhënë më në fund disa përgjigje.
Në ditët para ardhjes së tij në jetë kishte spekulime se ku do të bëhej lindja, në shtëpi apo në spital. Certifikata tregon se Archie ka lindur në Spitalin e Portlandit, një spital privat në Londrën Perëndimore.
Ndërkohë në certifikatë, në seksionin e profesionit të së ëmës, Meghan klasifikohet si Princeshë e Mbretërisë së Bashkuar. Por, ndërsa Meghani ka si profesion atë të Princeshës, ajo nuk do të quhet dot kurrë Princesha Meghan, pasi nuk ka gjak mbretëror. Vetëm pasardhësit e drejtpërdrejtë të gjakut mbretëror mund të mbajnë titujt Princ dhe Princeshë.
Ai që ka regjistruar Archie, ndërkohë, ka qenë vet Princi Harry, sipas certifikatës që tregon edhe se babait të ri iu deshën 10 ditë për ta bërë këtë. Data e regjistrimit është 17 maji.