Kosova është sfida më e madhe për politikën dhe politikën ekonomike të Serbisë.
Kështu ka thënë gjatë një deklarimi të fundit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave i Serbisë, Sinisha Mali, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.
Dhe sipas tij, bisedimet Kosovë-Serbi në vazhdim janë faktori më i rëndësishëm që do të përcaktojë politikën ekonomike dhe politikën në Serbi, në përgjithësi këtë vit.
Deklarata e tij vjen pak ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se në takimin me “pesëshen” ndërkombëtare të premten, i është thënë se duhet ta pranojnë propozimin e tyre, sepse në të kundërtën do të ndërpritet procesi i integrimeve evropiane.
Ai kishte shtuar se i është thënë se Serbia do të përballet me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve, që do të jetë një masë e përgjithshme ekonomike që do të ketë pasoja për Serbinë.
“Po t’i kisha përzënë dhe të thosha që nuk do të negocioja, regjimi ynë pa viza do të ishte hequr. Gjëja e dytë që do të na ndodhte është se nuk do të kishim më investime dhe investitorët do të tërhiqeshin”, kishte thënë ditë më parë Vuçiq.