Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollit i është refuzuar kërkesa nga Serbia për vizitë zyrtare në Novi Pazar.
“Çdo përpjekje e tij për të ardhure [në Novi Pazar] do të ishte ilegale dhe dihet se si veprohet me ata që përpiqen ilegalisht të hyjnë në territorin e një vendi të njohur ndërkombëtarisht dhe sovran siç është Serbia”, ka qenë reagimi i ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.
Vulin shtoi se Qeveria e Serbisë nuk e miratoi atë vizitë, duke e vlerësuar të paligjshme, transmeton lajmi.net.
Unë do të kërkoja, thotë ministri serb, që të mos bëhet një paralele me veprimin e autoriteteve të Prishtinës..
“Le të mos harrojmë që ne jemi një shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova dhe Metohia është territor nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara, në përputhje me Rezolutën 1244. Pacolli, si Ministër i Jashtëm nuk mund të vijë në territorin e Serbisë, për arsyen e thjeshtë se as Rezoluta 1244, as me dokumente përkatëse të UNMIK-ut nuk përcaktohet që të ketë ndonjë Ministër të Punëve të Jashtme”, ka thënë Vulin për mediat serbe.