Me Kurban Bajramin mbaron dhe Haxhi, që është kushti i pestë i Islamit, me të cilin dëshmohet solidariteti dhe mirëqenia. Në këtë ditë të shënuar të kalendarit mysliman theren kurbanë, që simbolizon sakrificën për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Kur’ani, Haxhi dhe Kurbani janë përmbajtjet themelore të Kurban Bajramit, të cilët paraqesin tri ideale të larta Islame.
Kur’ani paraqet arsimimin dhe devotshmërinë, Haxhi solidaritetin reciprok dhe Kurbani – sakrificën për të tjerët. Sakrifikimi në këto ditë të shenjta të Kurban Bajramit shprehet përmes therjes së kafshëve të caktuara, të cilat emërohen “kurban” ose sakrificë. Edhe ky akt fetar bie në ibadetet pronësore që çdo mysliman të therë kurban.
Falja e namazit të Bajramit
Pejgamberi a. s. e kishte bërë zakon që namazin e Bajramit mos ta falë në xhaminë e tij, por në hapësirë të hapur, atë që e quajmë namaz-xhah apo musal-lë. Kjo praktikë ishte sunnet. Namazin e Bajramit e falin të gjithë ata që duhet ta falin namazin e xhumasë, kurse argumenti për këtë është sepse Pejgamberi s.a.v.s. e ka falur rregullisht.
Ecja këmbë deri në xhami është e pëlqyer
Është e pëlqyeshme që në namaz të bajramit të shkojmë këmbë, siç ka vepruar edhe Muhamedi a. s. (Ibn Maxhe, hadithi është sahih).
Kjo është më e mirë, por kushtet e reja urbane, largësia e xhamisë e probleme të tjera i kanë ndryshuar kushtet, kështu që nuk ka të keqe nëse deri në xhami ecim edhe me veturë, tren apo ndonjë mjet tjetër trafiku. Është mirë që deri në xhami të shkojmë me një rrugë kurse të kthehemi me një rrugë tjetër. (Buhari)
Marrja e tekbireve
Marrja e tekbireve është e bazuar në Kur’an:
“… Por ditët e caktuara t’i plotësoni dhe Allahun ta madhëroni, për shkak se u ka udhëzuar në rrugë të drejtë, mbase do të jeni mirënjohës!” (El-Bekara, 185)
Ibn Omeri herët shkonte në xhami, dhe gjatë rrugës merrte tekbire, por edhe në xhami dhe pushonte vetëm kur imami ulej në minber. (Hakim dhe Bejhekiu, kurse hadithi është sahih).
Imam Begaviu mendon se është “prej suneteve marrja e tekbireve natën e dy bajrameve, në vendqëndrim, në rrugë, në shtëpi, mesxhid, treg, gjatë sabahut, në vendin ku bëhet namaz, derisa nuk vjen imami.”
Pejgamberi s.a.v.s. në ditët e dy bajrameve ka dal (nga shtëpia drejt xhamisë), duke lexuar tehlil (la ilahe il-lall-llah) dhe tekbir (Allahu ekber) me zë të rritur” (Bejhekiu, kurse hadithi është hasen.).
Namazi i Bajramit
Namazi i bajramit është vaxhib, detyrim individual fetar. Bajrami fillon kur te ngrihet dielli në gjatësi të një apo dy shtizave e deri në zeval (kur dielli është në mes të qiellit). Në bajram nuk ka as ezan as ikamet. Falen dy reqate. Dijetarët hanefijë pohojnë se në reqatin e parë, para El-Fatihasë dhe sures, lexohen tre tekbire, ndërsa në reqatin e dytë, pas leximit të El-Fatihasë dhe sures, lexohen tre tekbire, duke i ngritur duart deri te laprat e veshit.
Hutbja e Bajramit
Ibn Abbasi transmeton se hutbja e namazit të Bajramit bëhet pas namazit të Bajramit. Ai thotë: “Kam marrë pjesë në namaze të bajramit me Pejgamberin, Ebu Bekrin, Omerin dhe Osmanin dhe të gjithë e falnin namazin para hutbes.” (Buhariu). Hutbja duhet të jetë e shkurtër, përmbajtësore, udhëzuese dhe mbi të gjitha aktuale. Thjesht, hutbja duhet të jetë program javor për besimtarin në aspektin besimor dhe praktik.
Urimet e Bajramit
Nuk kemi ndonjë mënyrë të saktësuar se si bëhet urimi nga vetë Muhammedi a.s., por sahanët kanë transmetuar se njëri tjetrit ia uronin me fjalët “Tekabbelall-llahu mina ve minkum!”, që domethënë: “Allah e pranoftë nga ne dhe nga ju!” (Hadithi është hasen, si e ka cek Ibn Haxheri në Fet’hul-Bari). Te ne praktikohen disa mënyra urimi: Me fat Bajramin, Për hajr Bajramin, Urime Bajramin, Bajram mubarek olsun etj.
Urimi i Bajramit lejohet edhe nga dijetarë të tjerë, por nuk ekziston ndonjë formë. Ajo mund të bëhet në mënyra të ndryshme, duke pasur kujdes që formulimet mos të përmbajnë fjalë apo fjali që dëmtojnë besimin islam.
Mënyra e festimit të Bajramit
Bajrami është ditë e veçantë për muslimanët, sidomos për agjëruesit. Ata gëzohen për bajramin, njëkohësisht e kalojnë në bindje ndaj urdhrave të tij. Kemi shumë raste të rasteve gazmore, të cilat Muhammedi a.s. nuk i ka penguar. Me një rast rrëfen Aisha r. anha se si Pejgamberi i Zotit e ka ulur në një vend e ajo shikonte habeshinjtë të cilët luanin me shtiza në mesxhid. Kur i pa Omeri r.a. i qortoi ata, kurse Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Lëri! Nëna jonë është nga Benu Erfide”. (Buhariu).
Hadithet e shumta tregojnë se gjatë ditëve të Bajramit është e lejuar të relaksohemi, të argëtohemi, pasi një angazhimi të madh shpirtëror dhe fizik, të agjërimit dhe ibadeteve tona. (Fet’hu’l-Bari).
Ushqimet e përgatitura
Pas kthimit nga xhamia, Bajrami festohet me më të afërmit. Sofra e bajramit, përkatësisht dreka e bajramit është pjesë përbërëse e shënimit të kësaj feste. Çdo gjë përgatitet në mënyrë të veçantë: mbulesa e sofrës (tavolinës), enët, gjellëra me bollëk. Më së shpeshti përgatitet paça ose supa, pastaj tava, sarma, dollma, qoftet e pashës, mish i pjekur, myseku e musaka, elbasan tava, sallata, kos, dhallë dhe zakonisht bakllavë, sheqerpare e ndonjë ëmbëlsirë vendi apo rajoni. Kjo varet edhe nga fuqia ekonomike e familjes.
Edhe diçka. Gjatë ditëve të bajramit është i ndaluar agjërimi, sepse këto janë ditë të ushqimit dhe pijeve. (Ahmedi dhe Muslimi).
Vizitat gjatë Bajramit
Ditën e parë të Bajramit zakonisht vizitohet familja e ngushtë dhe e gjerë, e më vonë edhe fqinjët, miqësia, kolegët etj. Vizitohen edhe varrezat, duke kënduar një El-Fatiha apo edhe ndonjë Ja Sin për më të dashurit tonë.
Me rritjen e fëmijëve meshkuj, edhe ata merren me vete gjatë vizitave, që të njoftohen me farefisin apo miqësinë. Diku-diku është ruajtur edhe puthja në ballë e fëmijëve kurse ata puthin dorës e më të vjetrit.
Gjatë Bajramit duhet pasur kujdes të veçantë ndaj të afërmve, qoftë edhe me ndonjë dhuratë.
Pajtimi mes të hidhëruarve
Jeta na çon në situata të paparashikuara dhe ndodh të hidhërohemi mes veti. Bajrami është rasti më i mirë që këto mospajtime t’i braktisim, në frymën e Kur’anit dhe Hadithit, se besimtarët nuk mund të mbajnë hidhërim përtej tri ditëve. Bajrami është rasti më i mirë për pajtim dhe dashuri mes veti.
Përfundim
Disa nga tradita e Bajramit po zhduken. Vala e pamëshirshme e shekullit të elektronikës po i ndryshon gjerat, kurse ne jemi treguar të dobët në ruajtjen e traditave dhe identitetit tonë. Shumica e traditave ose janë zhdukur ose kanë mbetur aty-këtu, më tepër formale e më pak si nevojë e kohës.
Muhammedi alejhi selam për bajramin e ramazanit ka thënë:
“Kur të vij Bajrami, Allahu liron nga Xhehenemi (zjarri) aq njerëz sa ka liruar gjatë të gjitha netëve të atij Ramazani, tridhjetë herë nga gjashtëdhjetë mirë.” (Hadithin e shënon Bejhekiu).