Disa nga simptomat e sëmundjes së zgjatur të shkaktuar nga koronavirusi janë lodhja kronike, turbullimi i mendimit, pagjumësia, probleme në zemër dhe vështirësi në frymëmarrje. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakalets, përshkruan se çfarë përfaqëson realisht COVID-i zgjatur dhe se si po e kurojnë atë mjekët në Amerikë.
Pasi kalojnë COVID-19ën, shumë njerëz ankohen për simptoma të vazhdueshme për muaj të tërë.
Sipas një raporti të organizatës jofitimprurëse FAIR Health, rreth 15-20% e atyre që janë prekur nga virusi vazhdojnë të kenë simptoma muaj më vonë.
14-vjeçarja Seaenna nga shteti Cleveland u sëmur nga COVID-i rreth një vit më parë.
“Kur m’u rikthye nuhatja, ishte komplet ndryshe, si e transformuar. Ushqimet e rregullta më japin shijen e llastikut që digjet. Një aromë e çuditshme”, thotë ajo.
Doktorët e quajnë këtë periudhë të gjatë rikuperimi “COVID-i i zgjatur”. Organizata Botërore e Shëndetësisë e quan periudhën “post-COVID”.
“Ndodh tek individët që janë infektuar nga SARS-CoV-2, zakonisht rreth tre muaj më pas. Me simptomat që dallohen për të paktën tre muaj pas infektimit me koronavirus dhe zgjasin edhe për të paktën dy muaj të tjerë dhe që nuk mund të shpjegohen nga një diagnozë tjetër”, thotë Janet Diaz, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve përshkruajnë 18 simptoma të zakonshme, përfshirë kollën, dhimbjet e kokës, probleme me frymëmarrjen, pagjumësinë, çrregullimin e rrahjeve të zemrës dhe shpesh lodhje kronike.
“Është shumë e pranishme. Lodhja kombinohet me simptoma si ‘mjegullimi i trurit’, që do të thotë vështirësi në përqëndrim, mungesë kthjellimi…”, thotë Linda Geng, nga klinika “Stanford PACS”.
Dr. Geng kuron pacientët me COVID-in e zgjatur.
Ajo thotë se sfida është diagnostikimi i saktë, që këto simptoma të zakonshme janë për shkak të post-COVID-it dhe jo diçkaje tjetër.
“Ka një lidhje mes vazhdimësisë së simptomave, që nuk i kishin përpara se të merrnin COVID-in dhe të faktit që nuk patën ndryshime të tjera shëndetësore. Kjo eliminon disi mundësitë e tjera”, thotë doktore Geng.
Qendrat shëndetësore për COVID-in e zgjatur po shtohen me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara.
Në mediat sociale janë krijuar grupe për të ndihmuar pacientët që përballen me pasojat mendore të simptomave post-COVID.
Ish-infermierja Laney Bond thotë se grupit të saj në mediat sociale i shtohen 1500 persona në javë.
“Jemi përqëndruar tek informimi i pacientëve”, thotë ajo.
Institutet Kombëtare të Shëndetit kanë filluar një projekt prej 470 milionë dollarësh, për të mësuar më shumë rreth simptomave të post-COVID-it dhe për të gjetur një kurë për to./ VOA