Çfarë ndodh nëse Trump arrestohet?

Donald Trump pretendon se të martën do të arrestohet i akuzuar për pagesën e jashtëligjshme të 130 mijë dollarëve te një aktore e filmave pornografikë, Stormy Daniesl, bërë në vitin 2016, në mënyrë që ajo të mos publikonte marrëdhënien e tyre intime.

Marketing

Nëse kjo ndodh vërtet, Trump do të ishte i pari ish-president ndaj të cilit do të ngrihej një padi penale.

Për çfarë akuzohet Trump?

Në vitin 2016, aktorja e filmave pornografikë, Stormy Daniels, kontaktoi disa media duke iu ofruar shitjen e një historie sesi ajo pati një lidhje jashtëmartesore me Donald Trump në vitin 2006. Pasi Trump e mori vesh atë që ajo donte të bënte, avokati i tij, Michael Cohen, i dha asaj 130 mijë dollarë për të mos e bërë publike historinë.

Kjo nuk është diçka e paligjshme. Por, kur Trump rimbursoi Cohen për paratë, në faturë u shënua se ishin pagesa për shërbimet e tij ligjore si avokat. Prokurorët thonë se kjo është falsifikim i të dhënave të biznesit, një vepër penale në Nju-Jork.

Prokurorët mund edhe të akuzojnë ish-presidentin për shkelje të ligjeve zgjedhore, për shkak se ai u përpoq që votuesit e tij të mos merrnin vesh se kishte një lidhje jashtëmartesore.

Por, sipas juristëve ekspertë, çështja nuk është aq e lehtë për t’u zgjidhur. “Do të jetë e vështirë”, thotë për BBC Catherine Christian, ish-prokurore në Prokurorinë e Nju-Jorkut.

A do të paditet Trump zyrtarisht?

Vendimi do të varet nga Prokurori i Distriktit të Nju-Jorkut, Alvin Bragg. Ai ka ngritur një juri, e cila do të vendosë nëse prokurori ka mbledhur prova të mjaftueshme për të nisur padinë dhe nisjen e çështjes penale. Javën e kaluar, avokatët e Trump thanë se ish-presidentit i ishte dhënë mundësia që të dilte para jurisë, çka do të thotë se hetimi është drejt fundit. Por ata thanë se deklarata e Trump për një arrestim të mundshëm bazohej te raportimet e mediave dhe jo te ndonjë informacion i marrë paraprakisht nga prokurorët.

Çfarë ndodh nëse Trump arrestohet?

Avokatët e Trump kanë thënë se arrestimi do të ishte procedurë standarde nëse do të ngrihen zyrtarisht akuzat ndaj tij. Kjo do të thotë se ai duhet të largohet nga shtëpia e tij në Mar-a-Lago në Florida, për të dalë para gjykatës në Nju-Jork, ku do t’i merren gjurmët e gishtërinjve dhe do të realizohet edhe foto pas arrestimit.

Shtëpia e Trump në Florida, Mar-a-Lago.

Duke parë statusin e personit dhe faktin që do të ishte një arrestim historik, zhvillimi i ngjarjeve do të negociohej mes zyrës së prokurorit të Nju-Jorkut dhe skuadrës juridike të Trump. Nëse Trump shpallet përfundimisht fajtor për kryerjen e një vepre penale, atëherë ai do të përballej me mundësinë e dënimit maksimalisht me 4 vite burg. Megjithatë, disa ekspertë ligjorë parashikojnë se me shumë gjasa Trump nuk do të kalonte asnjë ditë pas hekurave.

A mund të kandidojë Trump për president edhe pas arrestimit?

Marrja si i pandehur, por edhe dënimi për një vepër penale, nuk do ta ndalonte Trumpin që të vijonte fushatën zgjedhore, nëse do të zgjidhte ta bënte këtë, siç edhe ka lënë të kuptohet.

Në SHBA, nuk ka asnjë ligj që ndalon një kandidat të shpallur fajtor për një vepër penale që të bëjë fushatë, e madje edhe që të shërbejë si president i vendit, edhe nga burgu.

Por arrestimi me siguri që do të ndërlikonte fushatën e tij. Përveç se mund të bënte që të humbiste vota edhe nga radha e republikanëve, do të ishte e vështirë që kandidati për president të menaxhonte fushatën, debatet dhe çështjen gjyqësore.

Një gjë e tillë do të rriste edhe më tej polaritetin e sistemit politik amerikan. Konservatorët besojnë se ndaj ish-presidentit po përdoret një standard tjetër drejtësia, ndërsa liberalët e shohin këtë si një çështje e ndalimit të shkelësve të ligjit, qofshin këta edhe persona që mbajnë postet më të larta shtetërore.

Marketing