Deri në ora 00:00 duhet të votohet për iniciativën për mosbesimin e Qeverisë “Zaev 2”.
Për t’u miratuar e njëjta, duhet vota e 61 deputetëve.
Nëse kalon e njëjta, atëherë sipas Kushtetutës Qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev është e detyruar të japë dorëheqje, por ajo do të vazhdojë të ushtrojë funksionin deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, shkruan TV21.
Sipas paralajmërimeve, opozita tashmë ka siguruar 61 vota “për”, kurse shumica dukshëm se nuk e ka mbështetjen e të gjithë partnerëve të koalicionit, pasi në koordinimin që u realizua mbrëmë në Qeveri, siç njoftuan nga Lëvizja Besa nuk ishte e pranishme kjo parti.
Nuk pati njoftim nga Qeveria për epilogun e koordinimit, por opozita disa herë dje përsëriti se “sot votohet mosbesimi i Qeverisë”. Nga ana tjetër, funksionarë të pushteti deklaruan “se shumica është stabile dhe se edhe me Qeverinë e ardhshme do të udhëheqë Zaevi”.
Nga ana tjetër, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski në intervistë për TV21 e ka vlerësuar se shteti është në krizë politike dhe nëse nuk ka shumicë të qartë do të bëhet akoma më keq.
“Ajo që më duket se do të jetë akoma më keq nga kjo krizë politike vijuese është nëse ditëve në vijim, nuk fitojmë shumicë nga ndonjëra prej palëve që po përpiqen të vijnë deri në 61 deputetë”, theksoi Pendarovski në emisionin “Click Plus” në TV21.
Sipas tij, në këtë rast mund të hyjmë në të a.q. skenar bullgar.
Lidhur me seancën e sotme kuvendore dhe për atë se kush do ta fitojë mandatin, presidenti tha se për të është shumë e rëndësishme shumica të fitohet në mënyrë demokratike dhe se vetëm kështu do të ketë legjitimitet edhe brenda edhe jashtë.
Pyetjes se kush e ka shumicën sipas informacioneve të tij, ai tha se ka bërë shaka se tani edhe zbuluesit më të mirë nuk e dinë se kush ka shumicë.
Shefi i shtetit thotë se pjesa më e madhe e politikanëve nuk do të dëshironin zgjedhje të shpejta. Arsyet siç tha janë zvogëlimi i numrit të votuesve dhe kalkulimet e partive politike.