Çfarë po ndodhë me Taravarin? – Si nuk i pengoi 20% për 11 muaj sa ishte në Qeveri?

Kreu i ASH-së Arben Taravari ka lëshuar mesazhe kritikuese për anëtarët e partisë së tij të cilët e braktisën gjatë rrugës së kalimit në opozitë, shkruan Alsat.

Marketing

Duke ju referuar qëndrimeve të disa prej tyre të cilët thonë se ndjekin rrugën e Arbën Xhaferrit, Taravari shkruan…

“Rruga e Arbën Xhaferrit nuk kalon nga Qeveria që të quan 20%. Rruga e Ndryshimit nuk kalon duke kërcënuar me burgje shqiptarët! Rruga e Ndryshimit nuk kalon duke shitur pozitën e deputetit për të shkuar ambasador n’Arabi. Rruga e Dinjitetit nuk kalon duke lënë partinë për një kolltuk ministri”, tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Por, Taravari nuk e kishte problem 20%-shin në kohën kur u bë pjesë e qeverisë.

Në fakt, zgjidhja e 20%-shit nuk është aspak në programin e qeverisë në të cilën Taravari dhe funksionarët e tij gëzuan poste për 11 muaj.

Ai kishte thënë vazhdimisht se kjo çështje duhet të adresohet dhe të rregullohet në kohën e ndryshimeve kushtetuese, por nuk e kishte pasur kusht për t’u bërë partner i Mickoskit.

Kryeministrin, në raport me përfaqësuesit shqiptar, e kishte quajtur të jashtëzakonshëm.

“Unë mendoj se statusi i shqiptarëve nuk është i keq në Maqedoni. Asnjëherë nuk ka ndodhur një raport kaq korrekt në raport me partnerët e koalicionit. Kjo është super korrekte, nëse jam i sinqertë deri në fund. Ai raport me kryeministrin është tërësisht korrekt dhe këtë e them gjithkund, nga Prishtina në Tiranë dhe gjithkund”, kishte thënë Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

 

Kjo deklaratë ishte në fund të marsit, atëherë kur Taravari filloi të kritikonte partnerët shqiptarë në qeveri.

 

Në vendimin e fundit më 12 maj për largim nga qeveria, Taravari për herë të parë nuk u shoqërua nga zv.kryeministri Arben Fetai dhe deputeti në largim Salim Sulejmani, të cilët po ashtu i kritikon në statusin e sotëm.

 

I pyetur për ata të cilët gradualisht e braktisin, Taravari kishte qenë i sigurt se janë të unifikuar.

 

“Me Arben Fetain dje jemi takuar, sot jemi dëgjuar. Është në rrugë, ok jemi. Me Salimin në drekë ishim së bashku, nënën e ka të sëmurë. Shkoi në Strugë, kishte disa probleme familjare”, kishte thënë Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

 

Jozyrtarisht në po këtë moment, Fetai ka qenë me aktivistë në Kumanovë.

 

“Rruga e Dinjitetit nuk kalon duke lënë partinë për një kolltuk ministri”, thotë po ashtu Taravari në statusin e tij, duke anashkaluar faktin se dikur ndau Aleancën, pikërisht për të ardhur në pushtet./ Alsat.mk

 

NGA INTERNETI