Çfarë presin amerikanët të hënën nga takimi Kurti-Vuçiq?

ShBA ka bërë të qartë angazhimin e saj në dy çështje kyçe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve. Njohje (fillimisht de facto me synim përfundimtar atë de jure) të Kosovës nga Serbia dhe një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit për komunat me shumicë serbe në Kosovë, shkruan Insajderi.

Marketing

Njohja dhe Asociacioni, në sy të amerikanëve, kanë përbërë kundërpeshën e njëra tjetrës, siç edhe e artikuloi javë më parë në një intervistë për “Financial Times” Këshilltari i Lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

“Derisa serbët eventualisht do të duhet të pranojnë një nivel sovraniteti, Kosova duhet që serbëve etnikë të saj t’u jap autonomi më të gjerë, në veçanti një bashkësi formale për komunat e saj të banuara me shumicë serbe në veri të vendit”.

Rreth kësaj të fundës, Chollet tregonte se Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ia kishte kumtuar “urgjencën e madhe”. Dhe, siç thoshte ai, “ata e kuptojnë rëndësinë e kësaj”.

Ndërkaq, vetëm dy ditë para takimit të Nivelit të Lartë në Bruksel, për të cilin ekzistojnë pritshmëri të mëdha ndërkombëtare për pranimin “zyrtarisht dhe publikisht” të Propozim-Planit evropian për normalizim të marrëdhënieve, Chollet zhvilloi një bisedë telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Bisedova me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, para takimit në Dialogun e Lehtësuar nga BE për të avansuar normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. ShBA mbështet përpjekjet për takim konstruktiv që afirmon zotimet e palëve ndaj propozimit të BE’së”, shkroi Chollet.

Chollet sërish theksoi çështjen e Asociacionit.

Kurtit, Chollet i tha se “tash është koha për të biseduar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe” dhe se duhet “bërë progres në themelimin” e saj.

“Sinjale të fuqishme se të hënën pranohet plani, Kosova merr njohjen faktike”

Ndërkaq këtë bisedë telefonike, Kurti e vlerësoi si “të shkëlyer”.

“Ia konfirmova mbështetjen për propozimin e BE’së si bazë e mirë për bisedime të mëtejme për normalizim e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve kërkon njohje të ndërsjellë në qendër si dhe respektim për të drejtat e pakicave në të dyja vendet”, tha Kurti.

Departamenti amerikan i shtetit pret “konstruktivitet” të hënën

Nga liderët presim qasje në frymë konstruktive, kanë thënë nga Departamenti amerikan i Shtetit në lidhje takimin e Nivelit të Lartë në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan Insajderi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, kanë thënë nga DASh për Zërin e Amerikës.

Serwer për Insajderin: Nuk shoh se si Kosova do ta bënte Asociacionin pa marrë paraprakisht njohjen “de facto”

DASh thekson rëndësinë që Prishtina dhe Beogradi të përdorin bisedimet për të shprehur zotimet e tyre për një të ardhme paqësore për rajonin, me synim përfundimtar – njohjen e ndërsjellë.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara mes Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihen përmes njohjes së ndërsjellë si synim përfundimtar. Progresi në dialog do të hap dorë për integrimin në BE dhe është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Pyetur se a mund të ketë një kapërcim të rëndësishëm drejt një marrëveshje në takimin e së hënës, DASh shprehet e inkurajuar që Kosova dhe Serbia kanë pranuar propozimin e BE’së.

“Ne inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të sigurojë kushtet për kualifikimin e serbëve të Kosovës dhe atë pa vonesa. Marrëveshja e Brukselit përcakton integrimin e serbëve të Kosovës në institucione. Ne plotësisht mbështesim këto marrëveshje dhe zbatimin e vazhdueshëm të tyre”, thuhet në përgjigje, raporton Insajderi.

Të hënën pajtimi për Udhërrëfyesin e Marrëveshjes, përfshirë edhe Asociacionin – Gorani dhe Biserko flasin për Insjaderin

Kur bëhet fjalë për refuzimin e mundshëm të dokumentit, versioni zyrtar i të cilit ende nuk dihet për opinionin, Departamenti i Shtetit nuk ka folur për pasojat e mundshme nëse palët refuzojnë ose humbasin mundësinë që iu është paraqitur.

“Është më e rëndësishme të flasim për mundësitë: propozimi paraqet mundësi për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor në një kohë kur Evropa po përballet me krizën më të keqe që nga Lufta e Dytë Botërore”.

“Siç është treguar tashmë nga Bashkimi Evropian – pranimi i marrëveshjes do të përshpejtojë përparimin e të dy vendeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, gjithashtu do të avancojë qëllimet tona kryesore për rajonin e Ballkanit Perëndimor – duke përfshirë arritjen e paqes, stabilitetit dhe përparimit për të gjithë. popujve”, përfundonte përgjigja me shkrim e Departamentit të Shtetit