Kush e ka lexuar librin “Lulet e mollës” së Xhon Gollsuorthit dhe nuk është prekur nga dashuria tragjike e Migen Devid, një vajzë e thjeshtë ferme me Frenk Esherestin, një student nga familje fisnike i cili kishte bujtur disa ditë në fermën e të afërmve të tij, apo nga historitë magjepsëse të peripecive të dashurisë tek “Saga e Forsajtëve”.
Novela “Lulet e mollës” mbetet një nga novelat më të bukura të Gallsuorthit, e cila zbulon jo vetëm pikat e forta, por edhe dobësitë e artit të tij.
Dy të dashuruarit, Frenku dhe Migen, kanë pika të shumta kontrasti: ata janë mashkull dhe femër, anglo-sakson dhe kelt, kumbues i qytetërimit dhe fëmija i natyrës, zotëri dhe vajzë e zakonshme. Të gjitha këto dallime janë aspekte të asaj që për Gollsuorth është një polaritet i madh: shfrytëzues dhe i shfrytëzuar.
Historitë që ai trajton përfshijnë një gamë të gjerë temash dhe emocionesh, nga dëshpërimi dhe vdekja, tek shpëtimi dhe shpresa.
Fundi tragjik i Migenit është realiteti i kohës kur Gollsuorthi shkroi veprën. Vdekja e saj është një tregim për dashuritë e pamundura, për dy kulturat e ndryshme që s’mund të jenë asnjëherë bashkë. Një anglez i sërës së lartë i epokës viktoriane, nuk mund të martohej asnjëherë me një vajzë ferme, edhe nëse e donte.
Xhon Gollsuorthi është një nga autorët më të njohur anglez, një nga shpirtrat që skaliti me pasion dhe përkushtim, me zjarr dhe ndjenjë, saqë edhe sot, pasi i ke lexuar dhe rilexuar veprat e tij të përlotin, të magjepsin.
Lindi më 14 gusht 1867, në Kingston Hill, dhe vdiq më 31 janar 1933, novelist dhe dramaturg, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në 1932. Rridhte nga një familje e pasur. Në vitin 1890 u thirr në avokati.
Me qëllim që të specializohej për ligjin detar, ai ndëmori një udhëtim nëpër botë, gjatë së cilës u takua me Zhozef Konradin, atëherë shoku i një tregtari anijesh. U bënë miq të përjetshëm. Gollsuorthit iu duk antipatik avoktia, kështu që filloi të shkruante.
Për veprat e tij të para: “Nga katër erërat” (1897), një koleksion tregimesh të shkurtra dhe romani: “Zhoselin” (1898), të dy të botuar me shpenzimet e veta, ai përdori pseudonimin John Sinjohn. “Farisenjtë e Ishullit” (1904) ishte libri i parë që u shfaq nën emrin e tij. “Njeriu i pronës” (1906) fillon rendin e njohur si “Saga e Forsajtëve”, me të cilën mbahet mend kryesisht Gollsuorthi.
Saga jep kronikën e jetës së tre gjeneratave të një familje të madhe, të mesme dhe të thjeshtë në fillim të shekullit. Gollsuorthi ishte gjithashtu një dramaturg i suksesshëm, dramat e tij, të shkruara në një stil natyror, zakonisht shqyrtojnë një problem të diskutueshëm etik ose social. Ato përfshijnë “Kutia e florinjtë” (1906), i cili, si shumë nga veprat e tij të tjera, ka një temë ligjore dhe përshkruan një kontrast të ashpër të trajtimit të ligjshëm të të pasurve dhe të varfërve; “Konflikti” (1909), një studim i marrëdhënieve industriale; “Drejtësia” (1910), një portretizim realist i jetës së burgut që ngriti aq shumë ndjenjën, sa çoi drejt reformës; dhe “Besnikëritë” (1922), më e mira e punëve të tij të mëvonshme. Shkroi gjithashtu edhe poezi. Shkroi “Një komedi moderne”, “Kapitulli i fundmë” etj.
Në vitin 1905 Gollsuorthi u martua me Ada Pearson, bashkëshortja e divorcuar e kushëririt të tij të parë, A.J. Galsworthy. Irena tek “Saga e Forsajtëve” është deri diku një portret i Ada Gollsuorthit, edhe pse burri i saj i parë ishte tërësisht ndryshe nga Soames Forsajt.
Romanet e Gollsuorthit, nga përkora e psikologjisë së komplikuar dhe pikëpamja e tyre shumë e thjeshtuar sociale, u pranuan si modele besnike të jetës angleze për njëfarë kohe. Gallsuorthi mbahet mend për këtë evokim të jetës viktoriane dhe eduardiane të klasës së mesme dhe për krijimin e tij të Soames Forsajt, një personazh i papëlqyeshëm, i cili gjithsesi detyron simpatinë e lexuesit.
Përveç statusit të tij letrar, Gollsuorthi ishte gjithashtu një aktivist i njohur për çështje të tilla si mbrojtja e të drejtave të grave, reforma e burgjeve dhe mbrojtja e kafshëve. / konica /
BURIMI: www.arsalbanica.mk