Charles shpallet sot zyrtarisht Mbret, cilat janë tetë kompetencat e tij

Në Britani, Charles, i cili pritet të emërohet sot zyrtarisht mbret nuk pritet të ndërhyjë në çështjet politike. Megjithatë, si kreu i shtetit, Charles, i cili ishte në krah të Elizabeth në momentet e saj të fundit do të ruajë disa kompetenca kushtetuese.

Marketing

Cilat do të jenë kompetencat e tij?

Roli në Parlament

Parlamenti është autoriteti më i lartë legjislativ në Britani dhe përfshin Dhomën e Komunave, Dhomën e Lordëve dhe Kurorën – një tjetër term për monarkinë.

Kurora është autoriteti më i vjetër i sistemit britanik të qeverisjes, por fuqitë e saj janë dobësuar me kalimin e kohës.

Emërimi në qeveri

Një ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme, monarku do të thërrasë liderin e partisë që fitoi më shumë vende në Dhomën e Komunave për të marrë postin e kryeministrit dhe për të formuar një qeveri.

Fillimi i mandatit ose shpërndarja e parlamentit

Monarku e shpall parlamentin të hapur çdo vit në një ceremoni duke lexuar planet e qeverisë për 12 muajt e ardhshëm. Kjo ngjarje e madhe vjetore zakonisht fillon me mbërritjen e monarkut në Westminster, në procesion nga Pallati Buckingham. Mbreti ose mbretëresha, duke mbajtur kurorën perandorake, hyn në Dhomën e Lordëve.

Zyrtari i parlamentit i njohur si “Black Rod” shkon më pas në Dhomën e Komunave, ku i përplasin në mënyrë simbolike derën në fytyrë, në shenjë pavarësie nga monarkia.

Kurora shpërndan parlamentin me të njëjtin solemnitet përpara mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, raporton abcnews.al.

Miratimi nga mbreti

Kur një projekt-ligj miratohet nga Dhoma e Komunave dhe Dhoma e Lordëve, ai i dërgohet monarkut për t’u nënshkruar. Edhe pse mbreti mund të refuzojë të miratojë një projekt-ligj, në të vërtetë është thjesht një formalitet.

Monarku i fundit që refuzoi të jepte pëlqimin e saj ishte Mbretëresha Anne, në 1708.

Besimi tek kryeministri

Mbretëresha Elizabeth II priste kryeministrat një herë në javë, në një audiencë gjatë së cilës ata e informuan atë për planet dhe shqetësimet e tyre. Ky takim u mbajt gjithnjë e më shumë me telekonferencë në fund të mbretërimit të saj.

Ata më tregojnë se çfarë po ndodh ose nëse kanë probleme dhe ndonjëherë mund t’i ndihmoj në një mënyrë ose në një tjetër, tha mbretëresha e ndjerë në një dokumentar të transmetuar në vitin 1992, duke vënë në dukje se ata e dinë që unë mund të jem i paanshëm.

Pozicionet

Monarku ka fuqinë të emërojë Lordët në parlament, por ky pushtet ushtrohet vetëm me këshillën e ministrave të qeverisë. Mbreti gjithashtu i jep personalisht titullin kalorës, duke nderuar ata që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në shoqërinë britanike, në të gjitha fushat.

Qeveria i paraqet monarkut çdo vit një listë të kandidatëve për miratim për ndere publike.

Krizat kushtetuese

Monarku ka fuqinë për të ushtruar prerogativat e tij mbretërore “në rast të krizës serioze kushtetuese” atëherë ai ka fuqinë të mos bie dakord me mendimin e ministrave, por kjo nuk ka ndodhur kurrë në kohët moderne.

Kreu i Kishës Anglikane

Si kreu i Kishës së Anglisë, mbreti ka fuqinë të emërojë peshkopë dhe kryepeshkopë, por edhe ky pushtet ushtrohet sipas mendimit të një komiteti kishtar.

/abcnews.al