Emra të njohur të estradës shqiptare kanë folur për rrugëtimin e tyre jo të lehtë për të arritur deri te suksesi që e kanë sot.
Në vendin tonë ndër vite ka pasur gra të suksesshme në shumë fusha, sidomos në muzikë e art mirëpo nuk kanë munguar as paragjykimet, shkruan lajmi.net.
Shyhrete Behluli, Shkurte Fejza, Motrat Mustafa, Violeta Kajtazi, Mihrije Braha etj, kanë qenë disa nga emrat që karrierën muzikore e nisën në kohën kur thuhej “çikat s’bën me këndu” e sot ato mburren me përkrahjen që dikur e kanë pasur nga familja e tyre dhe i këshillojnë vajzat e reja të cilat kanë talent që kurrë mos të dorëzohen.
Shyhrete Behluli është një nga këngëtaret e cila njihet për hitet e saj të dikurshme e që edhe sot vazhdon me të njëjtin ritëm dhe sukseset e saj vetëm po rriten.
Gjatë një prononcimi për Lajmi.net ajo ka folur lidhur me fillimet e para të karrierës, në kohën kur ishte më vështirë që femra të depërtoj dhe e ka dhënë një mesazh për të gjitha femerat.
“Po është e vërtetë që në vitet më herët ka pasur paragjykime për femrën në çdo aspekt por unë kam pas fatim të jem e familjes përparimtare dge demokratike. Prindërit e mi veçanarisht babai e ka kuptuar shumë mirë muzikën dhe artin në përgjithësi, ishte edhe vullneti i tij që unë të vazhdoja me këngën. Sot u jam shumë falënderuese pasi atëherë ishte kohë tjetër dhe vizioni femrës nuk ka qenë i largët. Unë i fuqizoj femrat dhe ju them të gjithave që të punojnë shumë për atë që duan pasi rruga e tyre ndonjëherë mund të jetë e vështirë por asnjëherë e pamundur“, tha këngëtarja.
Shkurte Fejza një emër i dëgjuar për publikun shqiptar, dhe atë qysh herët. Kjo tregon se fillimet e para të saj ishin në kohën kur femra paragjykohej se ‘s’bën me këndu’.
Paravarësisht kësaj, ajo sot gëzon një respekt të madh para publikur dhe karrierën që dikur e nisi brenda ‘kornizave’ e paragjykimeve, sot po e shijon akoma më lirshëm.
Shkurte Fejza për Lajmi.net ka treguar se nuk ka qenë i lehtë i gjithë rrugëtim mirëpo ndihet e lumtur se e ka ndjekur.
“Kur bisedohet tani për këtë goxha e vështirë të kuptohet realiteti në kohën time kur ua kan filluar këngës. Në ate kohë ka qenë e vështirë dhe ka pas probleme me shkue vajzat në shkollë e lëre më me këndue. Ka qenë numër i vogël i femrave që këndonin me fare pak këngë të rexhistruara dhe pjesa që këndonin nëpër restorane quheshin me emra përbuzës. Kur fillova unë duhet të kisha përgjegjësi maksimale sepse duhet të isha shembullë me të gjitha atributet e mira me qëllim që të kontriboje në lejimin e vajzave në shkollë si dhe në aktivitete kulturore. Unë jam e lumtur që ia kam arritur qëllimin këtu ku jamë sepse edhe pas meje kanë dalur edhe shumë këngëtare të reja dhe sot kanë bërë emër. Unë me stilin dhe rrugën që kam ndjekur kam hapur një shteg të ri ne muzikën shqipe pavarësisht që nuk ka qenë e lehtë”, tha ajo.
Motrat Mustafa po ashtu karrierën muzikore e nisën në kohën kur “çikat” nuk bënte t’i bënin disa punë.
Pavarësisht barrierat ato sot janë ndër emrat më të dashur për publikun dhe vazhdojnë të sjell hite në gjuhën shqipe, duke i kënduar kështu gjithmonë të bukurës. MotraT Mustafa e kishin më të lehtë pasi sipas tyre gjithçka nisi në pikërisht fshatin e tyre Mushtisht, aty ku kanë dalë zëra të suksesshëm edhe para tyre.
“Për ne filimet kanë qenë paksa më të lehta pasi ka qenë fshati Mushtisht që ka pasur këngëtar para neve. Rruga ka qenë më e lehtë dhe përkrahja maksimale e familjes e mësuesve nuk ka munguar. Ju urojmë 8 Marsin gjitha nënave, motrave, shoqeve”, tha Sahide Mustafa për Lajmi.net/
Mihrije Braha sot po e shijon suksesin për të cilin vazhdon të punoj mirëpo rrugëtimin e tij e nisi në vitet kur gjithçka lidhur me botën e muzikës dhe artit ishte më e vështirë për t’u bërë nga një vajzë, grua.
Këngëtarja gjatë një prononcimi për Lajmi.net ka treguar rrugëtimin e saj dhe e ka falënderuar motrën e cila ia ka hapur dyert dhe ia ka lehtësuar gjithë rrugën.
“.Unë nuk e kam pas edhe aq të vështirë pasi e kam pas motrën më të madhe dhe me ndihmën e saj unë i kam tejkalu barrierat në atë kuptimin që nëse është dasht me u paragjyku ose me e pas të vështirë me depërtu e ka pas motra ime e madhe, atë nuk e kanë lanë me këndu për shkak të paragjykimeve kurse mu më është hapur rruga prej motrës sime të madhe. Ajo ka thanë mu sem keni lanë e kta keni me e lanë. Do të thotë i gjithë suksesi jem i takon motrës sime të madhe që më ka përkrah edhe ajo e ka vu atë sopatën në dru. Vajzat e reja sot le të sigurohen mirë çfarë ju ka dhanë Zoti, se puna e talentit nuk është që e bën ti dhe duhesh me por ta jep Zoti nalt dhe mençuria duhet me u tregu nga ne këtu poshtë dhe më pas rrugën ia hap vetes, me punë dhe suksese”, tha Braha për Lajmi.net.
Violeta Kajtazi është po ashtu një nga këngëtaret e dashura për publikun e cila ndër vite ka arritur me sukseset në muzikë, njësoj vazhdon edhe sot dhe rreth vetes ka një numër të madh fansash që e pëlqejnë muzikën që bën.
Ajo për Lajmi.net rrëfen rrugëtimin e saj të gjithë këtij suksesi dhe tregon se ka hasur në raste kur familjarët nuk i kanë lejuar vajzat e tyre të këndojnë ose i lejonin por me kushtin që të shkonin pas tyre gjithmonë.
“Është e vërtetë qe ka qenë pak e vështirë me këndu çikat në disa vende në atë kohë. Unë e kam pas fatin që familja ime nuk kanë pasur paragjykime të tilla, ndoshta qe edhe babain im ndjesë pastë ka qenë këngëtar dhe muzikant. Si fëmija i 10-të i familjes sime, sugarica e shtëpisë më kanë përkrahë shumë. Mirëpo mbaj mend që ka pas këngëtare shumë të mira që ishin bashkë me mua që nuk i lejonin me këndu ose duhej ta kishin pas vetes patjetës dikë nga familja. Sikur në atë kohë të ishte siç është sot, do të kishim shumë më shumë këngëtare në skenën tonë të cilat do të kishin lënë gjurmë. Unë kam qenë nxënëse e shkollës fillore “8 Marsi” në Pejë ku kam këndu çdo herë për ditën e shkollës andaj shfrytëzoj rastin që të gjithave mësimdhënëseve të mija dhe të gjitha nënave kudo që janë të ju uroj nga zemra, gëzuar. Me shumë dashuri, Violeta Kajtazi”, tha ajo.
Arta Bajrami është një ndër këngëtaret e para shqiptare e cila ka lënë pas paragjykimet dhe është ndër të parat që ka këndu krah rep-artistëve të njohur shqiptar.
Ajo sot vazhdon të merret me muzikë dhe sjell këngë të cilat shndërrohen menjëherë në hite. Për dallim nga këngëtaret që rrugëtimin e tyre e nisën në kohën kur thuhej se “çikat s’bën me u marrë me art e me këndu”, Arta thotë se e ka pasur paska më të lehtë.
“Unë nuk i takoj asaj gjeneratës ku “çikat nuk bën me këndu, do të thotë për mua nuk ka qenë problem këndimi pasi unë kam tradit familjare në muzikë, nisur nga babai im Zejnullah Bajrami, rapsod folklori, si dhe vëllai producent, Don Arbas. Unë e kam pasur përkrahjen familjare në start dhe atë të publikut pasi kam sjell rrymë të re në muzikën shqiptare, do të thotë e kam pasuru muzikën moderne shqiptare. Paragjykimet nuk kanë munguar sepse unë e para kam këndu me repera. Mesazhi im për këngëtaret e reja: Femrat gjithmonë e kanë dëshmuar se mund t’ia dalin në çdo sfidë të jetës, por ta i përket muzikës ta promovojnë e të sjellin muzik artistike, ta qojmë muzikën shqiptare në nivel sa më të lartë. Ajo kohë ka qenë e kaluar, nuk mund ta ndryshojmë, do të thotë tash femrat shqiptare, këngëtare, i kemi të famshme e të suksesshme në globin botëror”, u shpreh Arta Bajrami për Lajmi.net.
Teuta Krasniqi konsiderohet si një ndër aktoret më të suksesshme sot. Ajo ka luajtur në role të ndryshme dhe është përballur me paragjykime të shumta ani pse në kohën e sotme mendohet se paragjykimet, akuzat, e kritikat ndaj femrës kanë nisur të zbehen e shoqëria të vetësijësohet.
Teuta për Lajmi.net ka folur për suksesin e saj, vendosshmërinë që ka pasur dhe vazhdon ta ketë edhe sot. Ajo inkurajon ‘gjininë e bukur’ të mos dorëzohen asnjëherë dhe se vetëm kështu sipas saj mund të ndryshohet mentaliteti ynë dhe të krijohet një e ardhme për vajzat.