Çiklistët që u nisën nga Shkupi për në Mekë mbërritën në Konya

Dy çiklistë nga Ballkani që më 1 prill nisën udhëtimin e tyre nga Shkupi për në Mekë, për të përmbushur kushtin e pestë të Islamit, Haxhin, kanë mbërritur në qytetin turk Konya, raporton Anadolu.

Bëhet fjalë për 57-vjeçarin Qamuran Hirda nga Shkupi dhe 60-vjeçarin Adem Aljiq nga Graçanica, Bosnjë e Hercegovinë.

Marketing

Fillimisht ata hynë nga pika kufitare Kapıkule në Türkiye, ndërsa pasi pushuan një kohë në qendrën e qytetit të Edirnesë kaluan në Çanakkala. Ata më pas kaluan në Bursa dhe Afyonkarahisar ndërsa stacioni i fundit i tyre u bë Konya.

Hirda dhe Aljiq deri më tani kanë kaluar rreth 1.600 kilometra për 16 ditë.

Qamuran Hirda tha se janë shumë të kënaqur nga dashuria dhe sjelljet që turqit treguan ndaj tyre. Ai tha se në Konya do ta vizitojnë kompleksin e Mevlanasë.

“Pasi hymë nga Kapıkule, falëm namazin e xhumasë në Edirne dhe qëndruam një natë. Më pas shkuam në Keşan dhe prej atje në Bandırma. Më pas vizituam një të afërmin tim në Karacabey. Arritëm në Bursa gjatë Bajramit. Falëm namaz në xhaminë Ulu dhe qëndruam një natë. Më pas qëndruam në Afyonkarahisar Çay për një natë. Natën e kaluar e kaluam në rrethin Kadınhanı të Konyas. Sot erdhëm në Konya. Nesër do të largohemi nga Konya dhe më pas do të shkojmë në Adana. Ndërsa nga Adana do të kalojmë në Gaziantep”, shpjegoi Hirda lidhur me udhëtimin e tyre.

Aljiq dhe Hirda pas Gaziantepit me avion do të kalojnë në kryeqytetin e Jordanisë, Aman, për shkak të luftës në Siri, ndërsa pjesën e mbetur të udhëtimit të tyre për në Mekë planifikojnë ta vazhdojnë me biçikletë.

Marketing