Cili do të jetë fati i Inspektoratit që mbron dhe mbikëqyr përdorimin e gjuhës shqipe?!

Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut edhe sot në rend dite do të jenë ndryshimet e Ligjit për Inspektoratin e Gjuhëve, një organ që deri tani ka status juridik, ndërsa me ndryshimet e propozuara nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM ky institucion kalon nën kompetenca të Ministrisë së Drejtësisë.

Marketing

Debati zhvillohet për të dytën herë në Komisionin kuvendor për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve, ku ka pasur tensione midis partive politike.

Fronti Evropian ka dorëzuar 6 amendamente ndaj ndryshimeve të Ligjit për Inspektoratit të Gjuhëve me të cilat parashikohet që të hiqet statusi juridik. Ndryshimet, i kanë propozuar deputetët e VMRO-së dhe ZNAM-it, ndërsa amendamente ka dorëzuar Fronti Europian.

Deputetët e Frontit Evropian që kanë dorëzuar 6 amendamente theksuan se nëpërmjet kësaj ndërhyrje ligjore shumica parlamentare po tenton që të vendos kontroll të plotë nën këtë Inspektorat duke e vendosur nën Ministrinë e Drejtësisë, duke ia marrë kompetencat.

“Inspektorati si mekanizëm për mbikëqyrje të zbatimit të të drejtës së përdorimit të gjuhëve nuk është institucion i thjeshtë administrativ, por mekanizëm thelbësor kontrollues për respektimin e këtyre të drejtave fondamentale”, deklaroi Sali Murat, deputet i Frontit Evropian.

Por nga ana tjetër, VMRO-DPMNE si propozuese tha që me ndryshimet nuk cenohet asnjë e drejtë e askujt.

“Ky ligj, këto disa faqe për të cilat ne sot diskutojmë janë vetëm në drejtim që të punësuarit atje të munden t’i realizojnë obligimet e tyre, gjegjësisht të mundet shteti t’i realizojë të drejtat që i ka ndaj të punësuarve. Në aspekt të asaj që dikush mund të përzihet në punën e atij institucioni, nuk është e saktë”, theksoi Bojan Stojanovksi, deputet o VMRO-DPMNE-së.

Deputeti i VLEN, Bekim Qoku theksoi se zgjidhja është bërë me urgjencë për shkak të problemeve që ka Inspektorati në funksionimin e tij.

“Ne këtë e sollëm shumë shpejtë për shkak të urgjencës sepse aty siç u tha, janë 4-5 muaj të punësuarit që janë pa rroga, pa sigurime shëndetësore, nuk munden të shkojnë në mjek dhe kjo ka krijuar një problem shumë problem të madh. Tjetra është se aty nuk ka as mjete për shembull, inspektorati dhe inspektorët që të shkojnë të inspektojnë. Pra ta kryejnë detyrën e tyre, për shembull mua më thanë që nuk ka tenderë për karburant, për t’i mbushur makinat dhe për të inspektuar, për të kryer detyrën e inspektimit”, deklaroi Qoku.

Deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi tha që problemi megjithatë mbetet te drejtori, pasi nuk e ka kaluar provimin për njohjen e gjuhës angleze,

“Rrogat atje nuk i kanë marrë jo pse nuk ka buxhet, nuk i kanë marrë se nuk ka kush nënshkruan sepse atje nuk ka drejtor. Atje ka pasur një ushtrues detyre që e ka kryer detyrën për gjashtë muaj si ushtrues detyre me kushtin që e ka kryer detyrën dhe kur është dashur që të japë provimin për njohje të gjuhëve të huaja, për të mundur të konkurruar në vendimin përfundimtar që të zgjidhet drejtor me mandat të plotë, zotëriu nuk e ka dhënë provimin dhe nuk mund të zgjidhet”, tha Talat Xhaferi, deputet i Frontit Evropian.

Sipas Alsat, Inspektorati për përdorimin e gjuhëve momentalisht është jofunksional, në kuptimin e plotë të fjalës. Përveç që është lënë pa rroga për më shumë se katër muaj, Inspektorati, siç ka raportuar Alsat, madje nuk ka as letër e ngjyrë për të kryer detyrat elementare. Prej shtatorit të vitit të kaluar, Inspektoratit i janë përgjysmuar edhe zyrat, respektivisht prej 6 në 3 kurse shteti shpërfill ndër vite kërkesën e inspektorëve për një automjet zyrtar. Deri më tani inspektimet në terren, janë bërë me vetura dhe shpenzime private.

Ndërkohë, janë shumë institucione tashmë që akoma nuk po zbatojnë përdorimin e gjuhës shqipe, përfshirë Ministri, komuna dhe institucione të tjera të vetëqeverisjes lokale në disa komuna. Një rast eklatant është Ministria e Administratës, por edhe dikastere tjera duke bërë lëshime të theksuara, ndërsa janë edhe komuna që akoma nuk zbatojnë përdorimin e gjuhës shqipe siç është komuna e Gazi Babës, që ende nuk ka vendosur tabelat e dygjuhësisë.