Cipras me ministra dhe biznesmenë për vizitë historike në Shkup

Kryeministri grek, Aleksis Cipras sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Ai është kryeministri i parë i Greqisë që do ta vizitojë vendin.

Marketing

Kryeministri grek gjatë vizitës në Shkup do të ketë bisedime me kryeministrin Zoran Zaev. Pritja zyrtare e Ciprasit me nderime shtetërore dhe ushtarake do të jetë në platonë para Qeverisë. Pas bisedimeve tet-a-tet Zaev – Cipras dhe takimit ndërqeveritar, dy kryeministrat do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp.

Kryeministri grek do të ketë takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.
Pasdite do të mbahet forum biznesi, ku do të flasin dy kryeministrat.

Në delegacionin që do ta shoqërojë Ciprasin gjatë vizitës në Shkup, krahas ministrave në Qeveri, janë edhe përfaqësuesit e disa kompanive të mëdha dhe të mesme greke.

Në prag të vizitës së sotme në Shkup, për herë të parë në intervistë për medium nga Maqedonia e Veriut, kryeministri i Greqisë, për MIA-n flet për takimin e ardhshëm me Zaevin dhe delegacionet e të dy vendeve dhe planet e ardhshme për bashkëpunim, ndërsa flet edhe për rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës.

Në bisedë me korrespondenten e MIA-s nga Athina, Cipras potencon se vizita është me rëndësi historike, e bazuar në vizion të ri strategjik për të dy vendet, zbulon se do të vijë me dhjetë ministra dhe do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh në sfera të ndryshme.

Thotë se Greqia dhe Maqedonia e Veriut duhet të jenë partnere dhe aleate, dërgon porosi se Athina duhet të ketë fqinj stabil dhe të sigurt verior, ndërsa Shkupi ka nevojë për një fqinj të fuqishëm që do t’i mbështetë hapat e saj drejt perspektivës evropiane.

Cipras, lidhur me zhvillimin ekonomik, thotë se tashmë qytetarët tanë e njohin mirë rolin e kompanive greke që e kanë në vend, dhe se në Forumin e biznesit do të ceket se në atë plan, dy vendet mund të shkojnë më tej.

Vizita e Ciprasit, e cila në mediemet e të dy vendeve vlerësohet si historike, do të transmetohet drejtpërdrejtë nga televizionet nacionale të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, përfshirë arritjen aeroport, pritjen solemne para Qeverisë, mbledhjen ndërqeveritare, konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrave dhe forumin e biznesit.

Për shkak të vizitës së Ciprasit sot prej orës 9:30 deri në orën 20:00 do të vendoset regjim i posaçëm komunikacioni në rajonin qendror më të gjerë të Qytetit të Shkupit.