Kryeministri grek Aleksis Cipras ka publikuar një video mesazh për qytetarët në Greqi, ku thekson se është koha për të nxjerrë në dritë faktet mbi Marrëveshjen e Prespës dhe për të mësuar të vërtetën.
“Me Marrëveshjen e Prespës po e mbrojmë Maqedoninë tonë. Ne kapërcejmë frikën dhe hapim rrugën drejt paqes dhe rritjes ekonomike “, thotë Cipras në një video mesazhin të titulluar”E vërteta mbi Marrëveshjen e Prespës”.
Kjo marrëveshje, thotë Cipras, është gurthemeli i miqësisë, bashkëpunimit dhe vëllazërisë së vendeve të Ballkanit, njofton agjencia greke e lajmeve ANA.
“Fqinjët tanë e dallojnë identitetin e tyre, pranojnë se gjuha e tyre është gjuhë sllave dhe se kultura e tyre në asnjë mënyrë nuk lidhet me trashëgiminë e lashtë greke. Përmes Marrëveshjes së Prespës, ne njohim shtetësinë, jo grupin etnik. Nuk do të ketë aludime irredentiste në tekstet e tyre. Ata po ndryshojnë emrat e monumenteve, të infrastrukturës dhe hapësirës publike”, tha Cipras.
Video mesazhi përfshin hyrje nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë.